
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, ndodhet në gjendje shumë të rëndë shëndetësore në një spital privat në Tiranë.
Lajmi është konfirmuar nga vetë institucioni shëndetësor, i cili ka publikuar një njoftim zyrtar për gjendjen e tij.
Sipas spitalit, Nano është i hospitalizuar prej disa ditësh pas një arresti kardiorespirator dhe aktualisht ndodhet në gjendje kritike, me prognozë të rezervuar.
Në njoftimin zyrtar thuhet:
“Pacienti ka disa ditë i hospitalizuar, në gjendje të rëndë pas një arresti kardiorespirator. Aktualisht pacienti konsiderohet në gjendje shumë të rëndë, me prognozë të rezervuar.”
Burime nga personeli mjekësor bëjnë me dije se 73-vjeçari ndodhet në reanimacion prej rreth 10 ditësh dhe se ka pësuar dëmtime në tru si pasojë e komplikacioneve të ndodhura pas arrestit.
Fatos Nano, i cili u tërhoq nga politika në vitin 2005, ka shërbyer si kryeministër i Shqipërisë në tre periudha të ndryshme (1991, 1997–1998 dhe 2002–2005). Ai është një nga figurat më të njohura të tranzicionit politik shqiptar dhe themeluesi i Partisë Socialiste të Shqipërisë, duke qenë gjithashtu edhe kryetari i parë i saj.