
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, në fjalën e saj gjatë konferencës kushtuar bashkëpunimit me Komisionin e Venecias, theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të pakontestueshme.
Ajo theksoi se kërkimi i një opinioni nga Komisioni i Venecias duhet të ndodhë paraprakisht, dhe jo të përdoret si mjet për të vënë në diskutim një vendim tashmë të dhënë nga Gjykata.
“Një Gjykatë Kushtetuese që nuk guxon është një dekor institucional,” u shpreh Zaçaj, duke nënvizuar se konventa evropiane për të drejtat e njeriut është dokument unik që mishëron vlerat e demokracisë evropiane.
Ajo kujtoi se Shqipëria, që prej anëtarësimit në Këshillin e Evropës në vitin 1995 dhe ratifikimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në 1996, ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të përforcimit të lirive themelore, siç ishte shfuqizimi i dënimit me vdekje.
Zaçaj theksoi se Kushtetuta shqiptare e bën pjesë të së drejtës së brendshme konventën, e cila barazohet me vetë Kushtetutën dhe se nuk mund të ketë kufizime që tejkalojnë parashikimet e saj.
Sipas saj, Komisioni i Venecias ka qenë një partner i çmuar për Gjykatën Kushtetuese, duke ndihmuar përmes standardeve dhe parimeve të tij në përmirësimin e sistemit juridik shqiptar.
“Partneriteti nuk është një marrëdhënie mësues–nxënës, por një dialog midis të barabartëve. Kur Gjykata Kushtetuese kërkon opinion nga Komisioni i Venecias, nuk kërkon leje dhe nuk cedon sovranitet. Komisioni ka qenë udhërrëfyes, duke ndihmuar vendimmarrjen dhe konsolidimin e parimeve të drejtësisë kushtetuese,” theksoi ajo.
Zaçaj paralajmëroi se procesi konsultativ me Komisionin e Venecias nuk mund të përdoret për të shmangur apo kontestuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo do të cenonte ndarjen e pushteteve.
“Gjykata Kushtetuese nuk është dekorative, është arbitër i lojës demokratike. Kushtetuta nuk është pronë e politikës, por kontratë me qytetarin. Të drejtat dhe liritë themelore nuk mbrohen sepse njihen nga shteti, ato janë universale dhe duhet të respektohen nga të gjithë pa përjashtim,” përfundoi Zaçaj.