
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka mbërritur në Londër ku më 22 tetor do të zhvillohet Samiti i radhës i Procesit të Berlinit, një nismë e rëndësishme për bashkëpunimin rajonal dhe afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Në samit do të marrë pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin Kurti pritet të ndajë të njëjtën tryezë pas polemikave të fundit në distancë lidhur me tubimin në mbështetje të UÇK-së në Tiranë dhe qëndrimet për Gjykatën Speciale.
Samiti i këtij viti pritet të fokusohet në siguri, zhvillim ekonomik dhe migrim, ndërsa udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të nënshkruajnë deklarata të përbashkëta për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimin energjetik.
Procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014 nga qeveria gjermane, ka për qëllim të forcojë lidhjet politike dhe ekonomikemes vendeve të rajonit, si dhe të përshpejtojë integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.
Burime diplomatike në Londër kanë bërë të ditur se gjatë samitit mund të ketë edhe takime dypalëshe mes liderëve të rajonit, përfshirë një përballje të mundshme mes Ramës dhe Kurtit, nëse palët bien dakord të diskutojnë për tensionet e fundit që kanë ndikuar në marrëdhëniet mes dy qeverive.