Kompania 2A Group, në pronësi të Valon Ademit, i është përgjigjur biznesmenit Behgjet Pacolli lidhur me aeroportin e Vlorës. Reagimi i Ademit vjen pas postimit të fundit të Pacollit në Facebook.
Kreu i 2A Group shkruan se nuk është në luftë me ata flasin metafora por me “Compartement Berninën” që kërkon të blejë flamurin kombëtar.
Ademi shton se Compartment Bernina përfaqësohet nga Burt Turtelboom, i cili dikur përfaqësonte palën ruse në negociatat në Paris Club.
“Nuk jam në luftë me ata që flasin me metafora, as me ata që mbulojnë mashtrimin me buzëqeshje, e as me mashat. Lufta ime nuk ka emra, por ka kuptim. Lufta ime është me Compartment Berninën, jo si emër, por si simbol i asaj bote që kërkon të blejë flamurin tonë. Ajo përfaqësohet nga Bart Turtelboom, njeriu që dikur përfaqësonte palën ruse në negociatat me Paris Club. Nuk është rastësi, është kujtesë. Një kujtesë se pas çdo formule financiare që duket e qetë, mund të fshihet një synim për të zhdukur rrënjët. Unë nuk jam në luftë për para, sepse sistematikisht deri në Gusht, Pacollit mi ofruan ato. Jam në luftë për të mos humbur kuptimin e fjalës “SHQIPËRI”. Sepse për mua, Vlora International Airport nuk është një investim, është një pjesë e shpirtit të një kombi që ngrihet për të fluturuar mbi hijet që duan ta mbajnë poshtë.” thuhet në reagimin e 2A Group në Facebook.
Më herët Hashtag.al shpjegoi në hollësi skemën e Pacollit për të kaluar aksionet e grabitura në aeroportin e Vlorës më një modul koorporativ që neutralizon mundësinë e shtetit shqiptar për të marrë më pas aksionet. Pjesë e modulit janë “Compartment Bernina” dhe “Delpho Securities”.
Dy ditë më parë, Gjykata e Tiranës vendosi të bllokojë çdo veprim të mundshëm të tij ndaj koncensionarit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Sipas vendimit, Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e paraqitur dhe ka marrë masën e sigurimit të padisë ndaj Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.
Gjithashtu në bazë të vendimit pezullohet e drejta e votës e ortakut të shumicës, Shoqërisë “Mabco Constructions SA”, deri në regjistrimin e kontratës së shitjes së 49% të kuotave të kapitalit të shoqërisë VIA sh.p.k., të transferuara më 3 prill 2025 tek blerësi “2A Group” sh.p.k.
Prokuroria e Tiranës ka strukturuar një grup prokurorësh për hetimin e çështjes së aeroportit të Vlorës.
Hetimi është regjistruar për 3 individë: biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe shtetasin Nelson Çela, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A.
Mënyra si ka vepruar Pacolli deri tani, ngre shqetësime se mund të jetë duke krijuar korridor për interesa strategjike ruse në Shqipëri.





