Vendosni fjalën kyçe....

Tragjedi në Maliq/ Nënë dhe bir humbin jetën nga asfiksia pas zjarrit në banesë, në gjendje të rëndë fëmija tjetër 6-vjeç


Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot qytetin e Maliqit, ku një banesë është përfshirë nga flakët në mesditë, duke shkaktuar humbjen e dy jetëve. Viktimat janë 40-vjeçarja Merjeme Azisllari dhe djali i saj 14-vjeçar, Luka Azisllari, të cilët ndërruan jetë si pasojë e asfiksisë nga tymi.

Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30, në bllokun nr. 3 të qytetit të Maliqit, në banesën e shtetasit V. A.. Në momentin e rënies së zjarrit, në shtëpi ndodheshin nëna me dy fëmijët e mitur.

Të tre u dërguan menjëherë në spital, por mjekët nuk arritën t’i shpëtonin jetën nënës dhe djalit të saj të madh.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, në gjendje të rëndë ndodhet edhe fëmija tjetër, vetëm 6 vjeç, i cili po merr trajtim mjekësor në spital.

“Rreth orës 13:30, në bllokun nr. 3, Maliq, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit V. A. Si pasojë janë dëmtuar dhe janë dërguar menjëherë për ndihmë shëndetësore në spital shtetasja M. A. dhe dy fëmijët e saj të mitur, 14 dhe 6 vjeç. Dyshohet se si pasojë e asfiksisë shtetasja M. A. ka ndërruar jetë në spital,” – thuhet në njoftimin e policisë.

Shërbimet zjarrfikëse bënë të mundur shuarjen e flakëve, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, që ende mbeten të paqarta.