Vendosni fjalën kyçe....

Rikthehet armëpushimi në Gaza


IDF-ja tha të dielën në mbrëmje se ka rifilluar “zbatimin e armëpushimit” pas një vale sulmesh ajrore në gjithë Gazën në përgjigje të sulmeve vdekjeprurëse pranë Rafahut më herët gjatë ditës.

Sulmet u urdhëruan pasi dy ushtarë – Major Yaniv Kula dhe Rreshteri Itay Yavetz – u vranë dhe një i tretë u plagos rëndë kur terroristët e Hamasit qëlluan një raketë antitank ndaj një automjeti inxhinierik gjatë një operacioni për pastrimin e tuneleve. Përshkallëzimi shënoi shkeljen më serioze të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja që kur hyri në fuqi.

“Në përputhje me direktivën e nivelit politik, dhe pas një sërë sulmesh të rëndësishme në përgjigje të shkeljeve të Hamasit, IDF-ja ka filluar zbatimin e ripërtërirë të armëpushimit,” tha ushtria në një deklaratë, duke sinjalizuar se direktiva erdhi drejtpërdrejt nga kryeministri Benjamin Netanyahu.

Njoftimi pasoi një ndryshim kaotik të politikës më herët gjatë ditës, kur qeveria ndërpreu për pak kohë ndihmën humanitare për Gazën “deri në një njoftim tjetër” si pjesë e përgjigjes së saj, për ta tërhequr vendimin brenda një ore, pasi zyrtarët e SHBA-së ndërhynë. Një zyrtar i lartë izraelit më vonë sqaroi se ngrirja e ndihmës ishte e lidhur me sulmet ajrore dhe do përfundonte sapo të përfundonin operacionet. Netanyahu siguroi homologët amerikanë se dërgesat e ndihmave do rifillonin të hënën, shkruan Ynet.

Uashingtoni i etur për të mbrojtur armëpushimin e negociuar nga Presidenti Donald Trump, i cili e ka lavdëruar publikisht atë si luftën e tetë që ai ka përfunduar që kur u kthye në detyrë, ka qenë duke ndërmjetësuar aktivisht prapa skenave. Të dërguarit e Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pritet të mbërrijnë në Izrael të hënën për takime me Netanyahun dhe ministrin e Çështjeve Strategjike Ron Dermer.