Italia synon të rrisë taksën e saj fikse mbi të ardhurat e huaja të individëve të pasur që zhvendosen në vend me 50 për qind në 300,000 mijë euro.
Rritja, nëse miratohet nga parlamenti, do ishte një goditje e rëndë për emigrantët e pasur që kërkojnë t’i shpëtojnë tatimeve më të larta diku tjetër në Evropë.
Gjatë dekadës së fundit, Italia, dhe veçanërisht kryeqyteti i saj financiar Milano, është bërë një destinacion popullor për super të pasurit e botës, të joshur nga cilësia e jetës dhe nxitjet tatimore që u lejojnë atyre të paguajnë një shumë fikse për të gjitha të ardhurat e tyre jashtë shtetit.
Por skema ka qenë e diskutueshme midis italianëve të thjeshtë, veçanërisht në Milano, të cilët e kanë fajësuar atë për rritjen e çmimeve të pronave dhe përkeqësimin e strehimit.
Një zyrtar i Ministrisë së Financave tha të premten se masa ishte përfshirë në draftligjin e buxhetit të Italisë për vitin 2026, i cili parashikon rreth 18.7 miliardë euro shkurtime taksash dhe rritje të shpenzimeve sociale, duke përfshirë një ulje taksash për punëtorët me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Drafti i buxhetit gjithashtu konfirmon qëllimin e Romës për të mbledhur më shumë se 4 miliardë euro nga bankat vitin e ardhshëm, pasi anëtarët e koalicionit trepalësh të kryeministres Giorgia Meloni arritën një kompromis të minutës së fundit se si t’i mbledhin të ardhurat pa vendosur një taksë mbi fitimet e papritura.
“Është një ligj buxhetor që i përgjigjet nevojave dhe problemeve konkrete të familjeve, bizneseve, punëtorëve të këtij kombi,” u tha Meloni në një konferencë shtypi në Romë të premten.
Me zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të Italisë të planifikuara për vitin 2027, Meloni është e etur të lehtësojë presionin financiar mbi familjet e zakonshme italiane, fuqia blerëse e të cilave është gërryer nga presioni i rëndë inflacionist në vitet që nga pandemia e Covid.
Por, me rritjen e PBB-së që pritet të mbetet e dobët – nën 1 për qind për tre vitet e ardhshme – Roma ka qenë në kërkim të burimeve të të ardhurave për të mbajtur deficitin fiskal nën pragun e BE-së prej 3 për qind, shkruan FT.
Nëse miratohet nga Parlamenti në javët e ardhshme, taksa e re fikse prej 300,000 eurosh do vendoset mbi të ardhurat jashtë shtetit të njerëzve që zhvendosen në Itali pasi të hyjë në fuqi buxheti i ri – që pritet të jetë në janar 2026.
Kjo do jetë rritja e dytë në skemën që filloi në 2016 për të luftuar “arratisjen e trurit” (brain drain). Që atëherë ajo ka joshur shumë emigrantë të pasur në Milano, veçanërisht pasi Mbretëria e Bashkuar shtrëngoi skemën e saj tatimore “non dom”.
Qeveria Meloni vitin e kaluar dyfishoi taksën fikse për të ardhurit e rinj në 200,000 euro. Giancarlo Giorgetti, ministri i Financave, e përshkroi më pas skemën si një “taksë e ashtuquajtur fikse për miliarderët” dhe këmbënguli se Italia ishte ende një destinacion tërheqës për super të pasurit, edhe pas rritjes.
Sipas rregullave aktuale, një banor i ri i huaj ose një italian që kthehet, që ka jetuar jashtë vendit për të paktën nëntë vjet – mund të paguajë një taksë fikse prej 200,000 eurosh në vit për çdo të ardhur dhe pasuri të huaj për deri në 15 vjet.
Vende të tjera që kanë përjetuar interes në rritje nga emigrantët e pasur përfshijnë Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat nuk vendosin asnjë taksë personale mbi individët.
Monako dhe Zvicra vazhdojnë të jenë të njohura për super të pasurit. Ndërsa Zvicra është një nga vetëm tre vendet evropiane që vendosin një taksë neto mbi pasurinë, të huajt e pasur mund të bëjnë marrëveshje të personalizuara me autoritetet lokale kantonale në lidhje me taksën e saktë totale që paguajnë mbi të ardhurat dhe pasurinë e tyre.
