
Emisari Special i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për Misionet e Posaçme, Richard Grenell, ka reaguar ashpër ndaj Gjykatës Speciale të Hagës, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të financimit të saj.
Në një postim të bërë në rrjetin X, Grenell e ka quajtur këtë institucion “tërësisht të korruptuar”, duke e akuzuar për proces të padrejtë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Haga është tërësisht e korruptuar dhe duhet t’i ndërpritet financimi. Jack Smith ishte një nga prokurorët e tyre që arrestoi presidentin në detyrë të Kosovës më shumë se pesë vjet më parë. Ai ende ndodhet në burg. Gjykimi ka filluar vetëm së fundmi,” shkroi Grenell në reagimin e tij.
Grenell sulmoi drejtpërdrejt edhe Prokurorin Special Jack Smith, i cili sot është i njohur për hetimet kundër Donald Trump.
Ai e akuzoi atë për rolin e tij në arrestimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke e cilësuar si shembull të qartë të politizimit dhe abuzimit me drejtësinë ndërkombëtare.
Reagimi i Grenell vjen vetëm dy ditë pas protestës së madhe në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku mijëra qytetarë nga trevat shqiptare kërkuan lirimin e ish-drejtuesve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë. Duke iu referuar kësaj proteste, Grenell tha se ajo është rezultat i “pakënaqësisë së madhe që ka shkaktuar kjo gjykatë e padrejtë”.
“Haga ka dalë jashtë kontrollit dhe ky reagim qytetar ishte i pashmangshëm. Jack Smith dhe strukturat e tij e kanë shkaktuar këtë,” theksoi ai në një deklaratë të mëparshme.
Grenell, i cili ka qenë një nga ndërmjetësit kryesorë në dialogun Kosovë–Serbi gjatë administratës Trump, është shfaqur vazhdimisht kritik ndaj Gjykatës Speciale, duke e akuzuar për “standarde të dyfishta” dhe për “dëmtim të qëllimshëm të figurës së luftëtarëve të UÇK-së”.
Sipas tij, kjo gjykatë është shndërruar në një mjet politik që po përdoret për të njollosur luftën e drejtë të Kosovës për liri.