Vendosni fjalën kyçe....

Grabitje spektakolare në Luvër, hajdutët vjedhin bizhuteri me vlerë “të paçmuar” në vetëm shtatë minuta


Një grabitje e guximshme ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në Muzeun e Luvrit në Paris, duke detyruar autoritetet franceze të mbyllin përkohësisht një nga destinacionet më të njohura kulturore në botë.

Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, disa persona kanë depërtuar në Galerinë “Apollo” përmes një ashensori mekanik dhe kanë marrë bizhuteri me vlerë “të paçmueshme”.

Hajdutët, të cilët sipas dëshmitarëve ishin të armatosur me sharrë elektrike të vogla, kanë përfunduar grabitjen për vetëm shtatë minuta dhe janë larguar me skuter, përcjell BBC.

Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, deklaroi për mediat se sendet e vjedhura kanë “vlerë të pallogaritshme, jo vetëm për shkak të pasurisë materiale, por edhe për rëndësinë historike dhe kulturore”.

Ndërkohë, ministrja e Kulturës, Rachida Dati, konfirmoi se nuk ka pasur persona të lënduar dhe se hetimet janë duke u zhvilluar nga policia franceze dhe njësitë speciale të sigurisë kulturore.

“Prioriteti ynë është rikthimi i këtyre objekteve të trashëgimisë kombëtare dhe identifikimi i autorëve,” u shpreh ajo.

Policia ka rrethuar hyrjen kryesore të muzeut dhe po analizon pamjet e kamerave të sigurisë për të rindërtuar itinerarin e grabitësve, të cilët besohet se kishin planifikuar operacionin me kujdes të madh.

Galeria “Apollo” është një nga hapësirat më të njohura të Luvrit, që strehon disa prej bizhuterive më të çmuara të kurorës franceze, përfshirë edhe gurë të rrallë dhe relike që datojnë nga shekulli XVII.