
Princi Andrew ka rënë dakord të heqë dorë nga përdorimi i titullit “Duka i Yorkut”, sipas një deklarate të publikuar nga Buckingham Palace. Ai gjithashtu do të heqë dorë nga nderimet e tij si “Knight Grand Cross of the Royal Victorian Order (GCVO)” dhe “Royal Knight Companion of the Order of the Garter”. Titulli i vetëm që do t’i mbetet është “princ”, i cili nuk mund t’i hiqet pasi është lindur si djalë i mbretëreshës, përcjell Guardian.
Vendimi, i marrë në konsultim me Mbretin Charles dhe anëtarët e tjerë të familjes, synon të shmangë dëmin që akuzat ndaj Andrew i kanë shkaktuar reputacionit të monarkisë. Ish-bashkëshortja e tij, Sarah, gjithashtu nuk do të përdorë më titullin “Dukesha e Yorkut”.
Familja e Virginia Giuffre – gruaja që akuzoi Andrew për abuzim seksual, e cila u vetëvra në prill – e quajti vendimin “një formë drejtësie për Virginia dhe të mbijetuarit kudo”.
Skandalet që lidhen me marrëdhëniet e Andrew me Jeffrey Epstein dhe persona të dyshuar për spiunazh në Kinë kanë vazhduar të rëndojnë mbi familjen mbretërore. Dokumente të reja në SHBA tregojnë se princi ka fluturuar katër herë me avionin privat të Epstein midis viteve 1999–2006.