
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, kanë finalizuar operacionin e koduar “STOP”, ku janë arrestuar në flagrancë dy shtetas të dyshuar për shpërndarje të lëndës narkotike kanabis në formë xhelatine, në një lagje pranë rrugës “Xhanfize Keko”.
Gjatë operacionit u sekuestruan 8 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis në formë xhelatine, rreth 802 gramë lëndë narkotike kanabis, si dhe 3 armë të ftohta (thika).
Pas marrjes së informacionit në rrugë operative për aktivitetin kriminal në një hyrje pallati në rrugën “Xhanfize Keko”, policia organizoi dhe finalizoi operacionin, duke arrestuar shtetasit D. B(K)., 35 vjeç, dhe E. X., 30 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ambientit ku u kapën dy të arrestuarit, u gjetën 8 pako me lëndë narkotike kanabis në formë xhelatine. Kontrolli i mëtejshëm në banesën e shtetasit D. B(K). solli sekuestrimin e rreth 802 gramë lëndë narkotike kanabis dhe 3 thika.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.