Kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj ka kërkuar dy interpelanca me kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministren Belinda Balluku.
Shehaj e ka kërkuar interpelancën me Ramën për aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje ndërsa me Ballukun për koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar.
“Duke pasur parasysh numrin e madh të ndërtimeve pa leje si dhe duke pasur parasysh prishjet e ndodhura në muajt e fundit, dëshiroj të di se cilat janë kriteret që janë ndjekur për përzgjedhjen e ndërtesave të shembura, si në zonën e Thethit, bregdetit dhe gjithë territorit? Mbetem në pritje të caktimit të datës së interpelancës në përputhje me afatet e përcaktuara në Kushtetutën e Shqipërisë dhe Rregulloren e Kuvendit.” – thuhet në kërkesën e Shehajt drejtuar kreut të Kuvendit Peleshi.
Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje nisi gjatë verës, duke çuar në prishjen e dhjetëra ndërtimeve në Theth, Valbonë, Orikum, Vlorë etj.
Ndërsa në kërkesën për interpelancë me Ballukun, kreu i Mundësisë I kërkon zv.kryeministres përgjigje për tre pyetje lidhur me koncesionin e Thumanë-Kashar.
“A ka llogaritur ministria juaj se cili është raporti mes investimit dhe fitimit të kompanisë përgjatë 35 viteve të operimit të aksit Thumanë- Kashar? Cila është arsyeja e zgjatjes së këtij koncensioni, nga 13 vjet i kërkuar nga oferta e pakërkuar, në 35 vite nga ana e Qeverisë? A do të përdorni të njëjtin model me akset e tjera, nga Kashari në Fier apо Thumanë-Balldren.” – shkruhet në kërkesën e Shehajt.
