
Partia Demokratike ka reaguar pas kritikave për mungesën e deputetëve të saj në mitingun mbështetës për ish-krerët e UÇK-së, që u organizua së fundmi në Tiranë.
Në një deklaratë të lëshuar në orët e mbrëmjes, PD thekson se nuk ka dhënë asnjë urdhër, verbal apo me shkrim, që përfaqësues apo mbështetës të saj të mos marrin pjesë në këtë tubim.
“Spekulimi banal i disa mediave, se ekziston një urdhër i tillë, është pjesë e skenarit të përhershëm anti-opozitar të Ramadros dhe Partia Demokratike e hedh poshtë si të pavërtetë,” thuhet në deklaratë.
Në vijim, PD rikujton qëndrimin e saj të qëndrueshëm lidhur me kauzën e UÇK-së dhe luftën e popullit shqiptar të Kosovës, duke e cilësuar atë si një pjesë të nderit të përjetshëm të kombit dhe çështjes kombëtare shqiptare.
Deklarata përmend gjithashtu fjalët e kryetarit të PD, Sali Berisha, i cili ka shprehur mbështetje të palëkundur për ish-krerët e UÇK-së në procesin gjyqësor në Hagë.