Vendosni fjalën kyçe....

Ish këshilltari i Trump-it, John Bolton dorëzohet pas akuzave për keqpërdorim të informacionit sekret


Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare në administratën e Donald Trump, John Bolton, është dorëzuar këtë të premte në një gjykatë federale në Greenbelt, Maryland, pasi u akuzua për keqpërdorim të informacionit të klasifikuar.

Bolton, i njohur si një nga kritikët më të ashpër të Trump-it, u padit të enjten me 18 akuza, përfshirë tetë për “transmetim të informacionit të mbrojtjes kombëtare” dhe dhjetë për “mbajtje të informacionit të mbrojtjes kombëtare”, të gjitha sipas Aktit të Spiunazhit. Çdo akuzë mund të dënohet deri në 10 vite burg.

Sipas aktakuzës, Bolton dyshohet se ka ndarë të dhëna të ndjeshme me dy të afërm të tij, për t’i përdorur në një libër që po përgatiste. Dokumentet e përfshinin shënime nga takime të brendshme të sigurisë dhe informacione të marra nga seanca inteligjence, përcjell Reuters.

Në një deklaratë të lëshuar të enjten, Bolton u shpreh: “Pres me padurim të mbroj veprimet e mia ligjore dhe të zbuloj abuzimin e pushtetit të (Trump-it).”

Avokati i tij, Abbe Lowell, tha se Bolton nuk ka shpërndarë apo ruajtur në mënyrë të paligjshme asnjë material sekret.

Rasti i Bolton-it vjen mes një vale hetimesh ndaj figurave që janë perceptuar si kundërshtarë të presidentit amerikan.

Vetë Trump ka ushtruar presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, të drejtuar nga Pam Bondi, për të ndjekur penalisht disa kritikë të tij, përfshirë ish-drejtorin e FBI-së, James Comey, dhe Prokuroren e Përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James.

Bolton shërbeu si këshilltar i sigurisë kombëtare gjatë mandatit të parë të Trump-it, përpara se të shkarkohej dhe të bëhej një prej kritikëve të tij më të fortë. Në kujtimet e publikuara vitin e kaluar, ai e përshkroi Trump-in si “të papërshtatshëm për të drejtuar vendin”.

Departamenti i Drejtësisë ka sqaruar se hetimi ndaj Bolton-it ka nisur në vitin 2022, përpara se Trump të rikthehej në pushtet.

Megjithatë, burime pranë prokurorisë thanë se ky rast konsiderohet më i fortë se ai ndaj Comey-t dhe Letitia James.

Duke reaguar nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha shkurt për akuzat ndaj ish-këshilltarit të tij: “Ai është një njeri i keq.”