Një gjykatë polake hodhi poshtë të premten kërkesën e Gjermanisë për të ekstraduar një ukrainas të dyshuar për shpërthimin e tubacioneve Nord Stream që dikur transportonin gazin rus në Gjermani, pasi politikanët në Varshavë kishin kërkuar që çështja të pushohej.
Gjykatësi vendosi që Gjermania kishte ofruar prova të pamjaftueshme për të justifikuar ekstradimin. Ai urdhëroi lirimin e të dyshuarit, të identifikuar si Volodymyr Z, i cili u ndalua në Poloni muajin e kaluar sipas një urdhërarresti evropian të lëshuar nga Gjermania.
Kryeministri polak Donald Tusk e përshëndeti vendimin në një postim në X.
“Problemi me Nord Stream 2 ishte ndërtimi i tij, jo shpërthimi i tij, pavarësisht se sa brutale mund të tingëllojnë këto fjalë dhe mund të mërzisin disa gjermanë”, u tha ai gazetarëve më herët të premten.
Tubacionet u dëmtuan rëndë nga shpërthimet nënujore në vitin 2022, muaj pasi Moska nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës.
Rusia kishte ndaluar furnizimet nëpërmjet Nord Stream 1, i cili kishte transportuar gaz në Gjermani për një dekadë, përpara shpërthimeve. Nord Stream 2, i cili ishte kundërshtuar nga Polonia dhe të tjerët për thellimin e varësisë së Evropës nga energjia ruse, nuk hyri kurrë në shërbim.
Hetimet suedeze dhe daneze për sabotimin u mbyllën vitin e kaluar, por prokurorët gjermanë më pas lëshuan mandate arresti ndërkombëtarë për një grup zhytësish ukrainas, të cilët ata pretendonin se kishin lundruar nga Gjermania për të vendosur eksplozivët në ujërat ndërkombëtare.
Politikanët nga i gjithë spektri politik i ndarë i Polonisë kundërshtuan përpjekjet e Gjermanisë për ekstradim. Javën e kaluar, Sławomir Cenckiewicz, kreu i Byrosë së Sigurisë Kombëtare të Polonisë dhe një këshilltar kyç i presidentit të krahut të djathtë Karol Nawrocki, i tha Financial Times se Gjermania duhet të heqë dorë nga ndjekja penale nëse dëshiron që politika e saj ndaj Rusisë të jetë në linjë me Varshavën dhe aleatët e tjerë të NATO-s.
“Nëse Gjermania po ndjek penalisht dikë me bazë në Poloni, i cili shkatërroi burimin e të ardhurave të makinerisë ruse të luftës, atëherë ne shohim një kundërshti të qartë interesash midis Polonisë dhe Gjermanisë, veçanërisht kur bëhet fjalë për mënyrën se si ne e perceptojmë realitetin pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022,” tha Cenckiewicz.
Një i dyshuar i dytë ukrainas i arrestuar në Itali në lidhje me sulmet në gazsjellësin Nord Stream, gjithashtu fitoi këtë javë një pezullim të përkohshëm kundër ekstradimit në Gjermani. Burri, i quajtur nga prokurorët si Serhii K., u ndalua pranë Riminit në gusht. Ai nuk do t’u dorëzohet autoriteteve gjermane për momentin, pasi gjykata më e lartë e Italisë anuloi një urdhër ekstradimi dhe urdhëroi që çështja të rishqyrtohet, shjruan FT.
Në rastin polak, gjykatësi Dariusz Luboëski tha se vendimi i së premtes për mosekstradim pasqyronte gjithashtu faktin se spërthimet ndodhën në ujëra ndërkombëtare dhe jo në ato gjermane, se Ukraina po zhvillonte një “luftë të drejtë” kundër Rusisë dhe se nëse sabotimi ishte organizuar nga shteti ukrainas, Kievi duhet të mbajë përgjegjësi dhe jo individët e përfshirë.
Slawomir Cenckiewicz, kreu i Byrosë së Sigurisë Kombëtare të Polonisë, tha se nuk kishte dijeni nëse Polonia kishte ndihmuar ukrainasit në operacionin e sabotimit, por shtoi se “interesi i shtetit polak është të mbrojë të gjithë ata që potencialisht morën pjesë në dëmtimin e Nord Stream 2, të cilin ne e trajtojmë si pjesë të makinerisë së luftës së Rusisë.”
