
Kryeministri i Francës, Sébastien Lecornu, i ka mbijetuar dy mocioneve të mosbesimit që kërcënonin rrëzimin e qeverisë së tij të brishtë e të pakicës, vetëm disa ditë pas emërimit.
Lecornu, një aleat i ngushtë i presidentit qendror Emmanuel Macron, u tha deputetëve të enjten se ata duhet të zgjedhin mes “debatit parlamentar” për buxhetin e vitit të ardhshëm ose “kaosit politik” që do të vinte nga rrëzimi i qeverisë.
Në mocionin e parë të mosbesimit, të paraqitur nga e majta La France Insoumise (Franca e Papërkulur), 271 deputetë votuan pro — vetëm 18 më pak nga 289 votat e nevojshme për rrëzimin e qeverisë.
Një mocion i dytë, i paraqitur nga partia e ekstremit të djathtë Rassemblement National (Tubimi Kombëtar) i Marine Le Pen, mori 144 vota, shumë më pak pasi nuk pati mbështetjen e La France Insoumise, përcjell The Guardian.
Megjithëse qeveria mbijetoi, fakti që vota e parë ishte shumë e ngushtë nxjerr në pah vështirësitë që Lecornu do të ketë përballë muajve të gjatë debati mbi buxhetin e vitit 2026.
Qeveria e tij i detyrohet mbijetesën lidershipit të Partisë Socialiste, e cila vendosi të mos bashkohej me votën e së majtës radikale, pasi Lecornu premtoi se do të pezullonte reformën e shumëpërfolur të pensioneve të Macron-it.
Reforma, që parashikonte ngritjen graduale të moshës së daljes në pension nga 62 në 64 vjeç, u ndalua përkohësisht — një lëshim i rëndësishëm politik.
Megjithatë, shtatë deputetë socialistë nuk iu bindën vendimit të partisë dhe votuan për rrëzimin e qeverisë.
Tani Lecornu duhet të sigurojë miratimin e buxhetit të vitit 2026 për ekonominë e dytë më të madhe të Bashkimit Evropian përpara datës 31 dhjetor, në një parlament të ndarë thellësisht midis të majtës, ekstremit të djathtë dhe qendrës.
Mathilde Panot, udhëheqësja e grupit parlamentar të La France Insoumise, tha: “Munguan vetëm disa vota për të rrëzuar Lecornu dhe qeverinë e tij. Mendimi ynë i parë është për vendin dhe për të gjithë ata që do të vuajnë pasojat e politikave mizore që priten me buxhetin e ri.”
Ndërkohë, kreu socialist Olivier Faure u zotua se partia e tij do të përdorë debatin për të “shpërbërë një buxhet të padrejtë”.
Presidenti i Rassemblement National, Jordan Bardella, reagoi në rrjetet sociale duke shkruar: “Një shumicë e mbledhur me pazare politike arriti sot të shpëtojë pozitat e saj, në kurriz të interesit kombëtar.”
Nga ana tjetër, kryetarja qendristë e Asamblesë Kombëtare, Yaël Braun-Pivet, bëri thirrje për bashkëpunim: “Tani të gjithë duhet të përveshim mëngët,” tha ajo, duke shtuar se gjatë debatit për buxhetin qeveria do të duhet të gjejë “dialog dhe kompromis”.
Franca vijon të përballet me paqëndrueshmëri politike që prej zgjedhjeve të parakohshme të vitit të kaluar, kur basti i Macron për të fituar një shumicë të re përfundoi me një rezultat të paqartë, duke lënë parlamentin të ndarë në tre blloqe — të majtën, ekstrem të djathtën dhe qendrën — pa asnjë shumicë të qartë.