
Katër persona humbën jetën të enjten në kryeqytetin kenian, Nairobi, pasi forcat e sigurisë përdorën armë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat e mëdha që mblidheshin në stadiumin ku po mbahej nderimi për trupin e ish-liderit opozitar Raila Odinga, raporton media lokale për Reuters.
Raila Odinga, figurë kyçe në politikën keniane për dekada, i cili kishte qenë edhe i burgosur politik dhe kishte kandiduar pa sukses pesë herë për president, vdiq të mërkurën në moshën 80-vjeçare në Indi, ku po merrte trajtim mjekësor.
Në mëngjes, mijëra mbështetës të Odingas mbushën rrugët e Nairobi-t, dhe kur një turmë e madhe arriti të kalojë portën e stadiumit kryesor të qytetit, forcat ushtarake qëlluan në ajër për të qetësuar situatën. Një burim i policisë konfirmoi për Reuters se dy persona u vranë në stadium, ndërsa më vonë media vendase raportoi për katër viktima dhe shumë të plagosur.
Pas përdorimit të armëve, policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë mijëra njerëz që ishin mbledhur për të nderuar Odingën, duke lënë stadiumin të boshatisur.
Në fillim të ditës, mijëra prej tyre edhe sulmuan aeroportin ndërkombëtar të Nairobi-t, duke ndërprerë ceremoninë zyrtare të pranimit të trupit të Odingas nga presidenti William Ruto dhe zyrtarë të tjerë ushtarakë, që u detyrua të pezullohej për dy orë.
Turma gjithashtu mbushën rrugët përreth dhe tentuan të depërtojnë në parlament, ku ishte planifikuar që të mbahej shfaqja publike e trupit të Odingas.
Ndërsa njihej kryesisht si figurë opozitare, Odinga u bë kryeministër në vitin 2008 dhe vitin e kaluar lidh një marrëveshje politike me presidentin Ruto, duke treguar një karrierë me aleanca të ndryshme politike.