
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka akuzuar mazhorancën se po shkatërron trashëgiminë kulturore të Durrësit për interesa të kompanive të huaja dhe po përpiqet të manipulojë historinë e komunizmit në Shqipëri.
Gjatë diskutimit në Kuvend, Zhupa u ndal te vendimi për të përjashtuar Institutin e Studimeve dhe Pasojave të Krimeve të Komunizmit nga procesi i hartimit të historisë së periudhës komuniste, duke e cilësuar këtë veprim si përpjekje për të “glorifikuar paraardhësit e Partisë Socialiste”.
“Siç ndodhte në ministrinë e të vërtetës, ju bëni gjithçka që të zhdukni faktet dhe të rishkruani historinë. Në Shqipëri jemi në paradoksin që ky institut nuk ka të drejtë të jetë bashkëpunëtor kur shkruhet historia e komunizmit për Shqipërinë. Këtë e shkruan sipas jush Akademia e Shkencave që drejtohet nga Skënder Gjinushi, ish-ministër i kohës së komunizmit. Ia keni dhënë xhelatëve të shkruajnë për krimet që kanë bërë,” deklaroi Zhupa.
Deputetja akuzoi qeverinë se po shkatërron shtëpitë e vjetra në Durrës për t’ia dhënë tokat kompanive të huaja që do të ndërtojnë në zonat historike të qytetit.
“Tani ka për detyrë të shembi 70 shtëpi të durrsakëve dhe t’i japë trashëgiminë historike të Durrësit. Mos u bëni kaq vasalë! Mundohuni të ruani historinë dhe trashëgiminë e shqiptarëve, jo të bëni qoka për lobim,” theksoi Zhupa.
Ajo shtoi se mazhoranca, sipas saj, po përpiqet të ringjallë figurat dhe simbolet e komunizmit përmes politikave publike dhe vendimeve institucionale.
“Keni dëshirën të glorifikoni figurat e komunizmit dhe të ripërdorni simbolet e asaj kohe. Jeni të lidhur me atë periudhë, thjesht i keni ndërruar emrin vetes. Sot Shqipëria ndodhet në një diktaturë moderne,” përfundoi Zhupa.