
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar sot mazhorancën për një “skenar të paramenduar” për të bllokuar debatin në Kuvend gjatë seancës plenare të së enjtes.
Në një deklaratë për gazetarët jashtë sallës së Kuvendit, Bardhi tha se ky skenar është organizuar nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili, sipas tij, është zbuluar pasi ka dërguar gabimisht një mesazh në një grup WhatsApp, ku urdhëronte deputetët socialistë të paraqiteshin në sallë për votim.
“Skenari ishte ndërtuar shumë kohë më parë. Niko ‘kllouni’ (duke iu referuar kryetarit të Kuvendit) vetëm e zbaton. Gabimisht Taulant Balla ngatërron grupin dhe urdhëron gjithë të vetët që të vijnë në sallë. Skenari ishte të ndërprisnin debatet, duan ta shndërrojnë Kuvendin në memec. Ta harrojnë! Ne do të reagojmë sa herë të shkelet rregullorja,” deklaroi Bardhi.

Ai shtoi se qëllimi i mazhorancës është shmangia e debatit për raportimet e institucioneve të drejtësisë në Kuvend, duke theksuar se “çdo deputet ka të drejtë të bëjë pyetje, por ata duan ta kalojnë pa debat.”
Bardhi akuzoi gjithashtu kryetarin e Kuvendit për mungesë autoriteti dhe zbatim urdhrash politikë:
“Masat disiplinore që jep ‘kllouni’ i Taulant Ballës janë të paprecedenta. Kuvendi nuk ka pasur kurrë një kryetar më të dobët. Ai është në nivelin e një zbatuesi urdhrash.”
Sipas Bardhit, opozita do të vijojë të reagojë “sa herë që shkelet Kushtetuta dhe të drejtat e deputetëve”, ndërsa e konsideroi situatën në Kuvend si përpjekje të mazhorancës për të vendosur “standardin më antidemokratik në 34 vitet e pluralizmit”.