
Qeveria talebane e Afganistanit dhe Pakistani kanë rënë dakord për një armëpushim 48-orësh pas përleshjeve të reja në kufi dhe pas raporteve për sulme ajrore pakistaneze në Kabul dhe Kandahar.
Të dyja palët pretendojnë se ishte pala tjetër që kërkoi armëpushimin, i cili, sipas Islamabadi, hyri në fuqi të mërkurën në orën 13:00 GMT.
Më herët, një zëdhënës taleban tha se nga goditjet pakistaneze ishin vrarë 12 civilë dhe ishin plagosur mbi 100 të tjerë, ndërsa secila palë pretendoi se kishte shkaktuar humbje të mëdha armikut.
Asnjë prej shifrave nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.
Përplasjet u përshkallëzuan pasi shpërthime të forta tronditën Afganistanin javën e kaluar, për të cilat Kabuli fajësoi Islamabadin. Talebanët i mohuan akuzat se po strehojnë militantë që synojnë Pakistanin.
Të mërkurën, secila palë akuzoi tjetrën për nisjen e luftimeve. Ushtria pakistaneze deklaroi se kishte vrarë “15–20 talebanë afganë” në zonën kufitare të Spin Boldakut, ndërsa zëdhënësi i qeverisë talebane tha se ishin vrarë “shumë ushtarë pakistanezë”.
Më vonë gjatë ditës, shpërthime në Kabul dhe Kandahar e përshkallëzuan më tej tensionin.
Mediat shtetërore pakistaneze raportuan se bëhej fjalë për sulme ajrore të forcave të armatosura ndaj objektivave në provincën Kandahar dhe në Kabul.
Megjithatë, ushtria pakistaneze nuk ka bërë asnjë konfirmim publik, ndërsa qeveria talebane deklaroi se “një cisternë nafte dhe një gjenerator kishin shpërthyer”, pa e lidhur drejtpërdrejt ngjarjen me luftime.
Zëdhënësi taleban tha se forcat afgane janë urdhëruar të respektojnë armëpushimin “për sa kohë që askush nuk kryen agresion”.
Burime në Spin Boldak i thanë BBC-së se përplasjet nisën rreth orës 04:00 sipas kohës lokale dhe zgjatën gati pesë orë.
Një mjek në spitalin lokal raportoi “shtatë trupa dhe 36 të plagosur, përfshirë burra, gra dhe fëmijë”.
Një zyrtar lokal taleban shtoi se “qindra familje janë zhvendosur që prej natës së kaluar” dhe se disa poste të tyre janë sulmuar nga avionë pakistanezë.
Në një incident të veçantë gjatë natës në kufirin veriperëndimor të Pakistanit, ushtria deklaroi se kishte “asgjësuar 25 deri në 30 luftëtarë talebanë dhe talebanë pakistanezë”.
Përplasjet e fundit kanë nxitur thirrje për përmbajtje nga vende si Kina dhe Rusia, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar se mund të ndërmjetësojë paqen.
Ndërkohë, raportuesi special i OKB-së për të drejtat e njeriut në Afganistan, Richard Bennett, u shpreh në platformën X se ishte “thellësisht i shqetësuar” për raportimet mbi viktima civile dhe zhvendosje të popullsisë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve “të tregojnë vetëpërmbajtje maksimale dhe të respektojnë ligjin ndërkombëtar”.
Pakistani prej kohësh akuzon talebanët afganë se lejojnë grupin Taleban Pakistani (TTP) të përdorë territorin e tyre për të sulmuar qeverinë e Islamabadit, ndërsa qeveria talebane në Kabul i mohon këto akuza.