
Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për shkarkimin nga detyra të presidentit Bajram Begaj.
Në një deklaratë për media, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka akuzuar presidentin për kryerjen e disa shkeljeve të rënda kushtetuese gjatë ushtrimit të detyrës së tij.
Bardhi theksoi se Begaj ka konsumuar 7 shkelje kushtetuese të rënda dhe të përsëritura, duke përmendur si rast kryesor dekretimin antikushtetues të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, presidenti ka ndërhyrë në mënyrë të padrejtë dhe brutale në kompetencat e pushtetit vendor, duke krijuar një ngërç kushtetues dhe konfuzion te zgjedhësit.
Kreu i demokratëve shtoi se Begaj ka uzurpuar kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, ka shkelur ndarjen e pushteteve, ka marrë në dorë juridiksionin dhe ka prishur ekuilibrin e kontrollit dhe balancës mes pushteteve.
“Presidenti ka ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në autonominë kushtetuese dhe ka lejuar ushtrimin e pushteteve, duke shfaqur anësi dhe duke cenuar funksionimin normal të institucioneve demokratike”, u shpreh Bardhi.