Një gjykatë austriake dënoi të mërkurën manjatatin e falimentuar të pronave Rene Benko me dy vjet burg për mashtrim me falimentimin, dënimi i parë në një hetim të gjerë mbi shembjen e perandorisë së tij të pasurive të paluajshme.
Benko, dikur një nga njerëzit më të pasur të Austrisë, themeloi Signa Holding në vitin 2000, por grupi i ngarkuar me borxhe u shpërbë në vitin 2023 në procedurat më të mëdha të falimentimit në historinë e vendit.
Kreditorët, përfshirë ata në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Tajlandë, thuhet se po kërkojnë miliarda euro nga Signa, portofoli i gjerë i së cilës përfshinte dikur Kullën Chrysler të Nju Jorkut dhe disa zinxhirë prestigjiozë dyqanesh në Evropë.
Benko, 48 vjeç, u akuzua se kishte fshehur asete në vlerë prej rreth 660,000 euro në kurriz të kreditorëve gjatë procedurës së falimentimit. Në gjyqin dy-ditor në qytetin e Insbrukut, Benko u shpall fajtor për akuzën e mashtrimit me falimentimin pasi i kishte dhuruar 300,000 euro nënës së tij në fund të vitit 2023. Gjykata e dënoi atë me dy vjet burg, shkruan Ansa.
Gjykata e shpalli atë të pafajshëm për akuzën e dytë, një pagesë të dyshuar paradhënie prej rreth 360,000 eurosh për qiranë dhe shpenzimet operative të një vile, të cilën prokurorët e kishin cilësuar si “ekonomikisht të pajustifikueshme”. Dënimi mund të apelohet. Benko, 48 vjeç, ndodhet në paraburgim që kur u arrestua në vilën e tij në Insbruk në janar. Ai ka mohuar të gjitha akuzat për shkelje ligjore.
