Google i Alphabet po planifikon të investojë më shumë se 10 miliardë dollarë në Indinë jugore për të ngritur një qendër të dhënash 1 gigavat, duke shënuar një nga investimet e saj më të mëdha në një treg që është kyç për planet e saj globale të zgjerimit.
Qendra e të dhënave e Google, e planifikuar të ndërtohet brenda dy vitesh në qytetin port Visakhapatnam, është pjesë e një qëllimi më të gjerë të vendosur nga shteti indian i Andhra Pradesh për të zhvilluar 6 gigavat kapacitet të qendrës së të dhënave deri në vitin 2029, tha Nara Lokesh, ministri i Teknologjisë i rajonit, për Bloomberg Neës në një intervistë, shkruan Bloomberg.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për vendet e punës,” tha Lokesh, djali i Kryeministrit të Andhra Pradesh, Nara Chandrababu Naidu.
“Bëhet fjalë për efektin më të madh zinxhir që krijon, veprimtarinë ekonomike që sjell.”
India është shfaqur si një nga përfituesit më të mëdhenj të një shpërthimi botëror të qendrave të të dhënave, nxitur nga kërkesa për sistemet e inteligjencës artificiale. Amazon planifikon të investojë 12.7 miliardë dollarë për të ndërtuar infrastrukturë cloud në vendin e Azisë Jugore deri në vitin 2030, dhe krijuesi i ChatGPT, OpenAI, po kërkon të ngrejë një qendër të dhënash 1 gigavat në rajon. Pritet që investimet në tregun e qendrave të të dhënave të vendit të kalojnë 100 miliardë dollarë deri në vitin 2027, sipas CBRE Group.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, e ka vlerësuar teknologjinë si kyçe për forcimin e ekonomisë së vendit dhe nxjerrjen e miliona njerëzve nga varfëria. Por kombi po përballet me sfida ndaj ambicieve të tij për ndërtime të mëdha, me burimet e kufizuara ujore dhe shërbimin e pasigurt të energjisë elektrike që mbeten pengesa të rëndësishme.
Partia rajonale Telugu Desam e Lokesh, të cilën e drejton babai i tij, është një pjesë e madhe e planit të Modit. Qeveria në Andhra Pradesh ofron tokë dhe energji elektrike të subvencionuar për sipërmarrjet e reja industriale. Në fund të viteve 1990, Naidu fitoi një reputacion si vizionar pasi ndihmoi në shndërrimi n e kryeqytetit të tij, Hyderabad, në një metropol teknologjik që sot pret kampuse të mëdha për kompani si Microsoft dhe Oracle.
Partia tani po përpiqet të shfrytëzojë ndikimin e saj për të siguruar politika federale të favorshme për kompanitë që investojnë në Andhra Pradesh.
“Ne jemi të gatshëm të zhvillojmë biseda që mund të kërkojnë edhe ndërhyrje politike në nivel federal,” tha Lokesh.
