Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do presë presidentin ukrainas në Uashington të premten për bisedime se si mund ta detyrojnë Vladimir Putinin e Rusisë të ulet në tryezën e bisedimeve, duke përfshirë mundësinë e furnizimit të Kievit me raketa Tomahawk të prodhuara nga Amerika.
Takimi do jetë i treti i Volodymyr Zelensky-t me presidentin amerikan në Shtëpinë e Bardhë që kur Trump u kthye në detyrë në janar.
Trump dhe Zelensky zhvilluan biseda telefonike gjatë fundjavës, gjatë të cilave diskutuan mundësinë që aleatët e NATO-s të blinin raketa Tomahawk për Kievin — një armë me rreze të gjatë veprimi që do të shtrinte aftësinë sulmuese të Ukrainës deri në Moskë e më tej — dhe se si të arrihej fundi i luftës në shkallë të plotë të Rusisë.
Raketat Tomahawk kanë qenë në krye të listës së dëshirave të Ukrainës për armë që nga ditët e para të pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në vitin 2022.
Trump ka thënë se po shqyrton shitjen e një numri të paspecifikuar të raketave Tomahawk me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën, por se ai duhet të dëgjojë më shumë rreth asaj se si Kievi planifikon t’i përdorë ato, thanë për Financial Times dy persona të informuar mbi bisedat e presidentit.
Zelensky konfirmoi takimin e afërt me Trumpin të hënën mbrëma.
Ai tha se ndau me Trumpin një “vizion” se sa raketa Tomahawk do t’i duheshin Ukrainës.
Një zyrtar ukrainas tha se Kievi besonte se Trump ishte më pranë se kurrë furnizimit të raketave. Megjithëse Trump dhe Zelensky patën përplasje të forta në Zyrën Ovale në shkurt, marrëdhëniet mes të dyve janë përmirësuar ndjeshëm gjatë verës, pasi presidenti amerikan është bërë gjithnjë e më i zemëruar nga kundërshtim ii Putinit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Persona të njohur me diskutimet e Trumpit me Zelenskyy thanë se ndryshimi i mendjes së tij vjen nga zemërimi në rritje me Putinin.
Të dielën, Trump u tha gazetarëve se SHBA-ja mund t’i dërgonte Ukrainës raketa Tomahawk nëse Putini nuk arrinte një marrëveshje.
“Mund të them: ‘Shikoni, nëse kjo luftë nuk do zgjidhet, unë do t’u dërgoj atyre Tomahawk’,” tha Trump, duke shtuar se donte të fliste me Putinin përpara se të vendoste.
“Tomahawk është një armë e jashtëzakonshme, një armë shumë sulmuese. Dhe sinqerisht, Rusia nuk ka nevojë ta provojë këtë.”
Putin ka paralajmëruar më parë SHBA-në kundër furnizimit të Kievit me Tomahawk, duke thënë se do të ishte një përshkallëzim i madh midis Uashingtonit dhe Moskës.
Nëse Trump do të vendoste t’i shiste armët aleatëve të NATO-s të cilët më pas do t’ia jepnin Ukrainës, kjo do të shënonte mbështetjen ushtarake më të rëndësishme nga presidenti amerikan, dhe në kontrast të thellë me pozicionin e tij të mëparshëm.
Që nga fundi i verës, agjencitë e inteligjencës të Trumpit kanë ndihmuar në heshtje sulmet e dronëve dhe raketave me rreze të gjatë të Ukrainës ndaj objekteve energjetike ruse thellë brenda Rusisë, raportoi Financial Times të dielën.
Tomahawk janë raketa të përdorura kryesisht nga Marina Amerikane për të sulmuar thellë në tokë. Të lëshuara nga anije ose nëndetëse, ato kanë një rreze veprimi deri në 2,500 km.
Mark Cancian, një ish-zyrtar i Pentagonit, tani në think-tank-un Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, vlerësoi në një simulim lufte të fundit se SHBA-ja kishte 4,150 Tomahawk në total.
Megjithatë, SHBA-ja ndoshta do të ishte në gjendje t’i furnizonte Ukrainës vetëm disa. Kjo për shkak të faktit se, nga 200 që Pentagoni ka prokuruar që nga viti 2022, ka përdorur tashmë më shumë se 120, sipas ekspertëve të mbrojtjes. Departamenti i Mbrojtjes ka kërkuar fonde për vetëm 57 Tomahawk të tjera në buxhetin e tij të vitit 2026.
Pentagoni nuk pranoi të komentonte se sa Tomahawk ka, shkruan FT.
Në një fjalim në parlamentin e Izraelit të hënën, Trump i kërkoi të dërguarit të tij special Steve ëitkoff, i cili ishte i përfshirë në bisedimet diplomatike si në Lindjen e Mesme ashtu edhe në Rusi, që ta përqendronte vëmendjen e tij në dhënien fund të luftës në Ukrainë.
Trump dhe Zelensky u takuan për herë të fundit në Shtëpinë e Bardhë në gusht, pas samitit të presidentit amerikan me Putinin në Alaskë.
Zelensky në atë kohë premtoi të blinte armë amerikane me vlerë gati 100 miliardë dollarë, të financuara nga Evropa, në një përpjekje për të marrë garanci nga SHBA-ja për sigurinë e saj të pasluftës, sipas një dokumenti të parë nga FT.
Një delegacion ukrainas i udhëhequr nga shefi i stafit të Zelenskyy, Andriy Yermak, dhe Kryeministrja Yulia Svyrydenko ishte rrugës për në Uashington të hënën për një javë diskutimesh me homologët amerikanë, duke filluar të martën.
