Autoritetet ruse kanë hapur një çështje të re penale kundër Mikhail Khodorkovsky, dikur njeriu më i pasur i vendit dhe një nga kritikët më të shquar të Kremlinit, duke e akuzuart për komplot për të përmbysur qeverinë e Vladimir Putinit.
Shërbimi i inteligjencës së brendshme të vendit (FSB) akuzoi të martën ish-manjatin e naftës Yukos, së bashku me 22 politikanë, aktivistë dhe biznesmenë të tjerë të mërguar, për planifikimin e një grushti shteti. Khodorkovsky dhe “themeluesit” e tjerë të dyshuar të grupit janë akuzuar gjithashtu për mbështetjen e njësive ukrainase për të marrë pushtetin me forcë.
Ndërsa ata që janë shënjestruar janë përballur prej kohësh me persekutim në Rusi, rasti shënon një fazë të re në fushatën e Kremlinit kundër kritikëve të tij dhe pasqyron shqetësimin në rritje rreth ndikimit të disidentëve jashtë vendit, pavarësisht pretendimeve zyrtare se opozita është e parëndësishme.
Khodorkovsky i quajti akuzat “absurde” të martën, duke thënë se ato ishin pjesë e përpjekjeve të Kremlinit për të frikësuar kundërshtarët e tij.
“Putini është jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj shfaqjes së përfaqësimit demokratik rus kundër luftës jashtë vendit”, tha ai për Financial Times.
“Kremlini e kupton shumë mirë se një legjitimitet i tillë për opozitën ruse mund të bëhet një faktor politik shumë i rëndësishëm në rastin e një transferimi të papritur të pushtetit.”
Khodorkovsky përballet gjithashtu me akuza të veçanta për nxitje publike të terrorizmit, të cilat mbartin një dënim të mundshëm me burgim të përjetshëm nëse ekstradohet dhe dënohet. Ai kaloi 10 vjet në një burg siberian me akuza për mashtrim që shihen gjerësisht si të motivuara politikisht.
Putini e fali atë dhe ai u dëbua në vitin 2013. Aktualisht jeton në Londër. Në listë janë edhe ish-kryeministri rus Mikhail Kasyanov dhe mjeshtri i madh i shahut Gary Kasparov, si dhe politikani opozitar Vladimir Kara-Murza, i cili u lirua nga një burg rus vitin e kaluar në një shkëmbim të madh të të burgosurve me SHBA-në dhe vendet evropiane.
Emra të tjerë përfshijnë Evgeny Chichvarkin, dikur shitësi kryesor i mallrave elektronike në Rusi, i cili tani drejton një dyqan verërash luksoze dhe një restorant në Mayfair të Londrës, dhe Mikhail Kokorich, i cili bashkëthemeloi kompanitë hapësinore Momentus të listuar në Nasdaq dhe Destinus me qendër në Zvicër.
Të gjithë ata që përmenden në këtë çështje janë të lidhur me Komitetin Rus Kundër Luftës, një koalicion opozitar i themeluar jashtë vendit në shkurt 2022, menjëherë pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Putini, dhe i cili u ndalua menjëherë në Rusi. FSB vë në dukje se koalicioni nënshkroi një “Deklaratë të Berlinit” në vitin 2023 që bënte thirrje për largimin e udhëheqjes aktuale të Rusisë.
Ajo citon gjithashtu përfshirjen e grupit me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), një forum për të drejtat e njeriut që përfaqëson ligjvënës nga 46 vende. Rusia u largua nga Këshilli i Evropës në vitin 2022 pasi u përball me përjashtim pas pushtimit të saj në Ukrainë.
Më herët këtë muaj, PACE njoftoi krijimin e një “platforme për dialog midis asamblesë dhe forcave demokratike ruse në mërgim”, hapi më domethënës deri më sot drejt përfaqësimit zyrtar jashtë vendit për grupet anti-Putin. Pace tha se të përfshirët duhet të jenë me “qëndrim të lartë moral” dhe të plotësojnë disa kushte, duke përfshirë njohjen e sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Sipas FSB, Khodorkovsky e portretizoi këtë platformë si një “asamblenë përbërëse për një periudhë tranzicioni” dhe një alternativë ndaj institucioneve shtetërore të Rusisë. Agjencia gjithashtu pretendoi se anëtarët e komitetit kundër luftës “financojnë dhe rekrutojnë anëtarë të grupeve të armatosura nacionaliste ukrainase brenda Rusisë” për t’i “përdorur më vonë ato për të marrë pushtetin me forcë”.
Në një postim në X, Khodorkovsky hodhi poshtë pretendimet për “rekrutimin e luftëtarëve” dhe “armatimin e ushtrisë ukrainase” si “gënjeshtra”.“Më falni, por asnjë armë. Ndihmë humanitare…po,” shkroi ai.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani
