
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, pranoi se në Shqipëri paraburgimi shpesh përdoret në mënyrë të gabuar dhe jo si mjeti i fundit, siç parashikohet nga ligji.
I pyetur nga deputeti Oerd Bylykbashi mbi masat që do të marrë qeveria për të ndryshuar këtë qasje, Lamallari theksoi se një nga padrejtësitë më të mëdha është që personat të kalojnë më shumë kohë në paraburgim sesa dënimi që marrin në vendimin përfundimtar të gjykatës.
Oerd Bylykbashi: Çfarë masash do marrë qeveria që të ndryshojë qasjen në lidhje me mënyrën se si përdoret paraburgimi?
Besfort Lamallari: Një nga padrejtësitë më të mëdha është që të shpenzosh kohë në paraburgim më shumë se koha që gjykata vendos në vendim përfundimtar. Kjo duhet adresuar. Kjo ka të bëjë edhe me mënyrën si janë shkruar dispozitat, por edhe me zbatimin e tyre në praktikë. Burgu duhet të shihet si mjeti i fundit, kur plotësohen edhe kushtet e rrezikshmërisë. Kjo kërkon ndërgjegjësim të gjithë aktorëve përkatës, prokurorive dhe gjykatave, këtu vjen në ndihmë edhe roli i partnerëve.