
Vjeshtën e vitit të ardhshëm pritet të nisë Censi i Bujqësisë, por realizimi i këtij procesi në kohë do të varet edhe nga miratimi i projektligjit në Kuvend.
Në komisionin e Ekonomisë drejtuesja e Institut të Statistikave Elsa Dhuli tha se kostoja për të numëruar sipërfaqen e tokës që mbillet dhe me çfarë, si dhe për të regjistruar numrin e bagëtive, do të duhen 9.2 milionë euro, që janë kërkuar si financim nga buxheti i shtetit.
“Sa i takon censit të bujqësisë, aktualisht strategjia e tij është në proces miratimi zyrtar. Varet nga miratimi i projektligjit, që është konsultuar. Aktualisht po bëhen reflektime për këtë cens. Parashikohet kosto 9.2 milionë euro, që janë kërkuar nga buxheti i shteti. INSTAT po bashkëpunon me MBZHR për të realizuar këtë proces”, tha drejtuesja e INSTAT Elsa Dhuli.
Censi i bujqësisë përfshin të gjitha njësitë ekonomike, që kanë në përdorim tokë bujqësore apo që kryejnë aktivitet bujqësor ose blegtoral, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Ky CENS do të bëhet, 14 vjet pasi është bërë ‘fotografimi’ i fundit i këtij sektori në Shqipëri. Numërimi pritet të zgjasë 4 javë, dhe ata që refuzojnë të japin informacion për punonjësit e INSTAT që do të angazhohen në këtë proces, do të ketë gjoba nga 30 mijë lekë deri në 100 mijë lekë.
Censi i bujqësisë ishte parashikuar për t’u zhvilluar në vitin 2022, por ky proces u shty për në 2024-ën, por as ky objektiv nuk u arrit, dhe afati i ri tashmë është viti 2026.