Vendosni fjalën kyçe....

Çela për krimet zgjedhore: Referimet kanë qenë të dobëta, në disa hetime mund të ishte punuar më mirë


Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, gjatë raportimit të tij në komisionet parlamentare, u ndal edhe te çështja e krimeve zgjedhore, duke theksuar se në shumë raste referimet nuk kanë pasur cilësinë e duhur dhe se ka vend për përmirësim në punën hetimore të prokurorëve.

Sipas Çelës, referimet që kanë mbërritur në Prokurori shpesh nuk kanë qenë të plota ose të argumentuara, gjë që ka ndikuar në rezultate jo të kënaqshme të hetimeve.

Ai theksoi se, pavarësisht kësaj, prokurorët duhet të kenë një rol më aktiv dhe të nisin hetime edhe mbi bazën e informacioneve që qarkullojnë në media apo burime të tjera.

“Referimet nuk kanë qenë të një cilësi apo niveli të kënaqshëm për të sjellë produkt në pikëpamje të rezultateve të hetimit. Por kjo nuk do të thotë se këtu përfundon detyra e Prokurorit. Ne kemi inkurajuar prokurorët që të kenë një rol proaktiv që lidhet me nisjen e hetimeve kryesisht, për çdo informacion që qarkullon në media apo burime të tjera për krimet zgjedhore”, u shpreh Çela.

Ai shtoi se në analizat e bëra nga institucioni që drejton, janë konstatuar raste ku hetimet mund të ishin zhvilluar më mirë, ndërsa nënvizoi se është punuar për të ngritur mekanizma bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përmirësim të infrastrukturës ligjore.

“Ka vend për përmirësim në cilësinë e hetimeve të Prokurorisë. Ka pasur referime jo substanciale, por edhe raste ku mund të ishte punuar më mirë. Ne kemi bërë përpjekje për të ndërtuar një presion pozitiv ndaj prokurorëve që të kenë prioritet krimin zgjedhor, dhe jo më kot këtë vit janë ngritur edhe seksione të posaçme për hetimin e këtij krimi”, deklaroi Çela.

Ai vlerësoi ngritjen e Task Forcës për Krimet Zgjedhore si një hap të parë në drejtim të forcimit të institucioneve ligjzbatuese dhe rritjes së ndërgjegjësimit për rëndësinë e këtyre çështjeve.

Sipas tij, sfida mbetet rritja e kapaciteteve dhe forcës goditëse të institucioneve, pasi në shumë prokurori të rretheve mungon përvoja dhe mbingarkesa ndikon në trajtimin e çështjeve sensitive.

“Kemi prokurori rrethe me vetëm 1 deri në 3 vite eksperiencë. Nuk është e lehtë të perceptojnë rëndësinë e angazhimit për shkak të ngarkesës së madhe që kanë. Megjithatë, ne jemi përpjekur që përmes transparencës dhe bërjes publike të masave institucionale, të luajmë edhe një rol parandalues në opinionin publik”, përfundoi Çela.