
Me debate të forta është zhvilluar sot seanca gjyqësore për çështjen e “Sterilizimit”, ku i pandehur është ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Pas ndryshimit të akuzës nga gjyqtarja e seancës paraprake në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, Beqaj ka ngritur sërish pretendime për parregullsi në proces.
Gjatë fjalës së tij, ai ka deklaruar se procesverbalet e seancave paraprake janë të paplota dhe se nuk i janë vënë ende në dispozicion të gjitha materialet për t’u mbrojtur.
“Procesverbalet janë të paplota, nuk i kam marrë ende të gjitha. Jam në një situatë ku nuk di si do të mbrohem. I kam kërkuar me insistim gjykatës së mëparshme, por nuk i kam marrë ende, pasi nuk e kam më të drejtën t’i dërgoj kërkesë asaj gjykate, sepse çështja ime është ndarë. Kërkoj CD e seancave paraprake, aty ku është bërë diskutimi i akuzës,” – është shprehur Beqaj.
Në vijim të deklaratës së tij, ish-ministri ironizoi situatën duke iu referuar vështirësive për të siguruar materialet e procesit.
“Po na duhet një ‘Diellë’, mesa duket, sepse CD duhet t’i marrësh kundrejt tarifës – pra, i bie të blesh akuzën! Do t’i bëj kërkesë gjykatës që të më sjellë kompjuter për t’i dëgjuar, por duhet të urdhëroni Drejtorinë e Burgjeve që të ma lejojë,” tha ai.
Avokati mbrojtës i Beqajt theksoi se klienti i tij është në pamundësi për të dëgjuar materialet, duke kërkuar nga trupi gjykues kohë shtesë për të përgatitur mbrojtjen.
Në përfundim, gjykata vendosi të shtyjë seancën për datën 30 tetor, në orën 12:00, për t’i dhënë kohë palës mbrojtëse që të sigurojë CD-të e seancave paraprake dhe të përgatisë mbrojtjen.