Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria holandeze merr kontrollin e kompanisë kineze të çipave për të mbrojtur sigurinë ekonomike të Europës


Qeveria e Holandës ka marrë kontrollin e kompanisë Nexperia, prodhuese e çipave me pronësi kineze dhe bazë në Holandë, në përpjekje për të mbrojtur furnizimin evropian të gjysmëpërçuesve të nevojshëm për industrinë e makinave dhe pajisjeve elektronike, si dhe për të ruajtur sigurinë ekonomike të kontinentit, përcjell BBC.

Sipas njoftimit të Hagës, vendimi u mor për shkak të “mungesave serioze të qeverisjes” brenda kompanisë dhe për të parandaluar rrezikun që prodhimi i çipave të bëhej i pakapshëm në situata emergjente.

Ministria holandeze e Ekonomisë e përshkroi këtë si një masë “jashtëzakonisht të rrallë”, duke theksuar se sinjalet për probleme të brendshme “kanë kërcënuar vazhdimësinë dhe ruajtjen në territorin holandez dhe evropian të njohurive dhe aftësive teknologjike jetike”.

Sipas autoriteteve, humbja e këtyre kapaciteteve mund të përbënte rrezik për sigurinë ekonomike të Holandës dhe të Bashkimit Europian.

Vendimi i qeverisë vjen në një kohë kur tensionet mes BE-së dhe Kinës janë rritur për shkak të mosmarrëveshjeve tregtare dhe lidhjeve të Pekinit me Rusinë.

Kompania mëmë e Nexperia-s, Wingtech, reagoi duke njoftuar se do të ndërmarrë hapa ligjorë për të mbrojtur interesat e saj dhe do të kërkojë mbështetje nga qeveria kineze. Aksionet e saj në bursën e Shangait ranë me 10% mëngjesin e së hënës.

Në një deklaratë për mediat kineze, Wingtech tha se operacionet e saj po vijojnë normalisht dhe se mbetet në kontakt të ngushtë me furnizuesit dhe klientët.

Ministri holandez i Ekonomisë, Vincent Karremans, ka marrë kompetencat për të bllokuar ose anuluar vendime të Nexperia-s që mund të dëmtojnë interesat e kompanisë apo furnizimin e vazhdueshëm të çipave në Evropë. Megjithatë, prodhimi i kompanisë do të vazhdojë si zakonisht.

Ligji i quajtur “Goods Availability Act” i jep qeverisë së Hagës të drejtën të ndërhyjë në kompani private në raste të jashtëzakonshme, përfshirë rreziqet që lidhen me sigurinë ekonomike dhe furnizimin e mallrave kritike.

Në dhjetor të vitit 2024, SHBA e futi Wingtech në listën e saj të entiteteve të ndaluara për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare, duke i ndaluar kompanive amerikane eksportin e produkteve ndaj saj pa miratim të veçantë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Nexperia u detyrua më herët të shiste fabrikën e saj të çipave në Newport, pas shqetësimeve të ngjashme për sigurinë kombëtare, por vijon të zotërojë një tjetër impiant në Stockport.

Një zëdhënës i Nexperia-s tha se kompania “respekton të gjitha ligjet, rregulloret, kontrollet e eksportit dhe regjimet e sanksioneve në fuqi”, pa dhënë komente të mëtejshme.