Vendosni fjalën kyçe....

Një moment i rrallë shprese në Lindjen e Mesme


Prej dy vitesh, pengjet e mbajtura nga Hamasi në Gaza kanë përfaqësuar traumën e thellë që sulmi mizor i militantëve më 7 tetor 2023 i shkaktoi shoqërisë izraelite.

Rreth 250 persona u rrëmbyen dhe u dërguan në Rripin e Gazës, ndërsa 1.200 të tjerë u vranë. Pengjet kanë përjetuar kushte çnjerëzore, të mbajtur thellë në rrjetin e tuneleve të Hamasit, ndërsa Izraeli bombardonte territorin.

Disa u torturuan e u lanë pa ushqim, të tjerë u ekzekutuan, ndërkohë që robërit u shndërruan në kartën kryesore të presionit të militantëve gjatë negociatave me Izraelin.

Tani, 20 pengjet e fundit që kanë mbetur gjallë pritet të lirohen, së bashku me trupat e 28 të tjerëve që janë vrarë ose gjatë sulmit të 7 tetorit, ose në robëri si pjesë e fazës së parë të planit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, ky do të jetë  për Izraelin një çlirim emocional i përzier mes gëzimit dhe dhimbjes për ata që janë humbur.

Do të përfaqësojë gjithashtu arritjen më të rëndësishme në politikën e jashtme gjatë mandatit të dytë plot trazira të Donald Trump.

Po aq domethënëse është edhe marrëveshja e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, e cila do të sjellë lehtësim për mbi 2 milionë banorë të dëshpëruar të Gazës, që kanë jetuar nën bombardime të përditshme, shpërngulje masive dhe urinë e përhapur.

Rripi është shkatërruar pothuajse tërësisht, pasi Izraeli ka bombarduar pjesën më të madhe të tij duke e kthyer në një shkretëtirë, ndërsa sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, mbi 67 mijë gazanë janë vrarë.

Trump duhet vlerësuar për përpjekjen e tij për t’i dhënë fund kësaj katastrofe.

Ai më në fund ka arritur  megjithëse me vonesë të bëjë atë që dukej se nuk kishte vullnetin ta bënte më parë: të ushtrojë presion ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ashtu edhe ndaj Hamasit, për të ndalur luftën, si pjesë e planit të tij me 20 pika të paraqitur muajin e kaluar.

Katari, Egjipti dhe Turqia gjithashtu meritojnë vlerësim për rolin e tyre në bindjen e Hamasit që të pranojë marrëveshjen.

Megjithatë, pengesat më të vështira ende nuk janë kapërcyer nëse Trump dëshiron të sigurojë një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme për Gazën, ashtu siç premton plani i tij.

Izraeli theu armëpushimin e fundit që mundësoi lirimin e disa pengjeve, pasi Netanyahu dhe aleatët e tij të ekstremit të djathtë refuzuan të angazhoheshin në hapa për t’i dhënë fund luftës ose për të tërhequr trupat izraelite nga Rripi.

Është jetike që Trump të vazhdojë ta ndjekë me vendosmëri këtë proces dhe të sigurojë zbatimin e plotë të planit, duke përfshirë tërheqjen graduale të forcave izraelite dhe krijimin e një strukture të besueshme qeverisjeje për Gazën, që përfshin vetë palestinezët për të garantuar legjitimitetin e saj.

SHBA-ja gjithashtu duhet të vendosë një dialog mes Izraelit dhe palestinezëve dhe të ushtrojë presion për një “horizont politik për bashkëjetesë paqësore dhe të begatë”, ashtu si parashikon plani.

Kjo do të thotë që Izraeli dhe palestinezët të punojnë drejt një zgjidhjeje me dy shtete, i vetmi opsion i qëndrueshëm për të dhënë siguri, paqe dhe drejtësi për të dyja palët.

Pavarësisht sjelljes së paparashikueshme të Trumpit dhe mantrës së tij “America First”, ai ka një mundësi për të rikthyer pjesërisht besueshmërinë e goditur të SHBA-së me aleatët dhe vendet e jugut global nëse del të jetë udhëheqësi që sjell pengjet në shtëpi, ndalon masakrën në Gaza dhe vendos themelet për një zgjidhje të drejtë të konfliktit izraelito-palestinez.

Premtimi i tij gjatë mandatit të parë për të dorëzuar “marrëveshjen e shekullit” dështoi. Ai i la palestinezët anash dhe përmbysi vite politikë të SHBA-së me një sërë lëvizjesh pro-Izraelit.

Akordet e Abrahamit të vitit 2020, sipas të cilave Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Maroku dhe Sudani ranë dakord të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin, u pritën me mirësi, por ishin kryesisht transaksionale dhe pak ose aspak ndihmuan për të adresuar konfliktin izraelito-palestinez.

Impulsi i ri i krijuar nga përpjekja e fundit e Trumpit për të ndalur luftën në Gaza nënvizon rolin e pazëvendësueshëm që SHBA mund të luajë në përpjekjet për paqe.

Presidenti duhet tani të përdorë influencën e tij me përgjegjësi dhe të mbështesë premtimet e tij për të ndalur ciklin e pafund të dhunës që ka shkatërruar Lindjen e Mesme për kaq shumë kohë. Lirimi i pengjeve është një moment historik, por vetëm një hap i parë drejt paqes.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Financial Times