Vendosni fjalën kyçe....

“Instituti i Trashëgimisë miratoi ndërhyrjen skandaloze në Via Egnatia” – Denoncimi i Zhupës


Deputetja e PD-së Zhupa ka denoncuar Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore për papërgjegjshmëri e skandal lidhur me projektin e ndërhyrjes në Via Egnatia.

Ajo shkruan në Facebook se ndërkohë që PD-ja ka kërkuar që Via Engatia, për nga historia që mbart duhej restauruar sipas standardeve ndërkombëtare, IKTK-ja ka miratuar një ndërhyrje skandaloze, duke shkatërruar vlerat.

Shënimi i Zhupës

Skandal! Institucione të papërgjegjshme dhe të paafta. Drejtoresha e IKTK-së pranon se Asfaltimi i Via Egnatia-s është bërë me miratimin e tyre!

Sot në Komisionin e Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, gjatë një seance dëgjimore me përfaqësues të IKTK-së, bëra pyetje të drejtpërdrejta mbi ndërhyrjen skandaloze në rrugën historike të Via Egnatia-s:

A ka aplikuar bashkia për këtë projekt?

A e keni parë dhe miratuar ju këtë ndërhyrje?

Përgjigjja e drejtoreshës ishte po: e kemi parë, e kemi miratuar dhe sipas saj, nuk ka asnjë problem.

Ky pranim është tronditës. Tregon qartë papërgjegjshmëri të thellë institucionale ndaj trashëgimisë sonë kulturore. Rruga e Via Egnatia-s nuk është një rrugë e zakonshme , është pjesë e një historie me vlerë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ndërkohë që ne kemi kërkuar mbrojtje institucionale, restaurim sipas standardeve ndërkombëtare dhe heqjen e çdo ndërhyrjeje të paligjshme që deformon vlerat e rrugës së lashtë, duke e denoncuar si produkt të një injorance dhe arrogance lokale, ndërkohë kjo qenka “mbrojtja” që i ka dhënë IKTK trashëgimisë sonë për “t’i shtuar vlerën”!!!

Absurde kur një institucion që ka për detyrë mbrojtjen e trashëgimisë sonë, e shikon shkatërrimin si diçka “në rregull”. Kjo nuk është më çështje sporadike por është një alarm për mënyrën si mendohet dhe veprohet në dëm të historisë sonë.