Vendosni fjalën kyçe....

Bllokohen dhjetëra monopatina e skutera elektrikë, qytetarët mund t’i rimarrin pas 30 ditësh


Dhjetëra mjete elektrike, mes të cilave monopatina dhe skuter elektrik janë bllokuasr nga Policia Rrugore e Tiranës ditën e sotme pas një vendimi të shpallur dje paradite nga ministrja e Brendshme Koçiu. Ndërsa bllokimi pas vetëm një dite nga marrja e vendimit është çështje polemizuese duke qenë se dhjetëra qytetarë kanë deklaruar se nuk e kanë dëgjuar vendimi, ata kanë të drejtën t’i rimarrin mjetet e tyre elektrike.

Sipas policisë, nuk bëhet fjalë për sekuestrim por bllokim administrativ çka nënkupton se pas 30 ditësh bllokim, mjeti elektrik i bllokuar do i kthehet qytetarit.

“Vetëm për qytetin e Tiranës kemi të bëjmë me rreth 50 mjete të bllokuara. Ka një ndërgjegjësim masiv nga qytetarët për këtë mjet pasi kemi parë një kufizim të lëvizjes. Kemi një bllokim administrativ për 30 ditë dhe pas 30 ditësh i rikthehet poseduesit ligjor të mjetit. Nuk është një konfiskim por bllokim administrativ me afat 30-ditor dhe pas 30 ditësh i kthehet poseduesit”, tha për TV Klan Gerhard Baka, specialist i trafikut urban në Policinë Rrugore.

Vendimi për ndalimin e monopatinave do të jetë i përkohshëm, deri në momentin që do të jetë gati manuali me kriteret e përdorimit të tyre. Vetëm në vitin 2024 në të gjithë vendin u regjistruan 991 aksidente me monopatina, me disa përdorues të tyre që humbën jetën dhe një numër të lartë të plagosurish.