Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Reforma zgjedhore pa praninë e OSBE-ODHIR nuk ka legjitimitet, Rama kërkon ta katandisë vendin në 28 bashki


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se reforma zgjedhore nuk mund të zhvillohet pa praninë dhe mbikëqyrjen e OSBE-ODHIR, duke theksuar se ky institucion është garant i procesit demokratik dhe transparencës zgjedhore.

“Reforma zgjedhore nuk mund të ketë pa praninë e ODHIR. Do ftohet ODHIR, do dërgohet pasi të pranohet ftesa e tij. Natyrisht, me praninë e ODHIR ne jemi të gatshëm të shqyrtojmë një nga një të gjitha rekomandimet,” – tha Berisha.

Ai foli edhe për reformën territoriale, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përgatit një projekt për të reduktuar ndjeshëm numrin e bashkive në vend.

“Sipas projektit të Ramës, vendi do të kalojë nga 61 në vetëm 28 bashki. Ai kërkon të ndajë fuqinë e votës së qytetarëve dhe t’ua heqë atyre të drejtën për të pasur pushtet vendor real. Reforma e parë territoriale ishte një katastrofë,” – u shpreh Berisha.

Kreu i opozitës shtoi se projekti i Partisë Demokratike për reformën territoriale është krejtësisht ndryshe nga ai i qeverisë dhe synon rikthimin e barazisë në përfaqësim.

“Sot kemi qarqe me 120 mijë banorë që kanë 7 njësi të qeverisjes vendore, ndërsa qarqe me 1 milionë banorë kanë vetëm 4. Kjo është e vërtetë për Tiranën dhe Gjirokastrën,” – përfundoi Berisha.