Juxhin Drazhi, i cili u ekstradua nga Spanja ditën e djeshme është lënë në burg nga Gjykata e Posaçme. Ai po hetohet si pjesë e grupit të Elvis Doçit, i njohur me nofkën Visi i Pojës.
34-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për trafik droge në kuadër të operacionit “Ura”, u ekstradua një ditë më parë nga Spanja pas arrestimit më 8 gusht nga autoritetet spanjolle në një shtëpi luksoze në Almunecar. Sipas autoriteteve spanjolle, shtëpia ndodhej në një terren të lartë prej nga ku dyshohet se Drazhi kërkonte të mbikëqyrte lëvizjet e policisë spanjolle.
SPAK ka sekuestruar disa pasuri të cilat dyshohet se i përkasin Juxhin Drazhit dhe që janë nëpërmjet aktivitetit kriminal. Në emër të tij rezulton i regjistruar në Durrës një biznes i tregtimit të automjeteve dhe dhënies me qira të tyre. SPAK ka zbuluar dhe sekuestruar 10 pasuri në emër të shoqërisë “Majestic Construction”. Pronari i kësaj shoqërie rezulton të jetë aktualisht Nazmi Shahini.
Kalimet e shpeshta të pronësisë së “Majestic Construction” dhe të gjitha pasuritë e sipërfaqeve të tokave të regjistruara në hipotekë në emër të saj, sipas SPAK ngrenë dyshime të forta se i përkasin familjarëve të Juxhin Drazhit.
