Vendosni fjalën kyçe....

Trump kërcënon me tarifa hakmarrëse 100% ndaj Kinës, mund të anulojë takimit me Xi Jinping


Donald Trump ka thënë se do vendosë tarifa shtesë prej 100 për qind ndaj Kinës dhe ka kërcënuar se do anulojë takimin e tij me presidentin Xi Jinping, duke ndezur sërish tensionet tregtare midis ekonomive më të mëdha në botë.

Presidenti i SHBA-së akuzoi Pekinin të premten për marrjen e një “pozicioni jashtëzakonisht agresiv ndaj tregtisë”, dhe tha se do vendoste “kontrolle në shkallë të gjerë të eksportit në praktikisht çdo produkt që ata prodhojnë” si dhe në “të gjithë softuerët jetikë”.

Masat e reja do vendoseshin nga 1 nëntori “ose më shpejt”, në varësi të veprimeve të Kinës, shtoi ai në një postim në Truth Social.

Kina këtë javë zbuloi një paketë kontrollesh eksporti që do prishte furnizimet globale të mineraleve tejet të rralla. Sipas rregullave të reja, kompanitë e huaja do duhet të marrin lejen e Pekinit për të eksportuar magnetë të rëndësishëm dhe prodhime të tjera që përmbajnë edhe sasi të vogla të mineraleve të rralla me burim nga Kina.

Në përgjigje, Trump sugjeroi se do anulonte një takim me Xi Jinping që pritej të mbahej në kuadër të forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Korenë e Jugut në fund të tetorit. Kompanitë ndërkombëtare e kishin konsideruar takimin e planifikuar si një hap drejt stabilizimit të marrëdhënieve SHBA-Kinë.

“Kjo ishte një surprizë e vërtetë, jo vetëm për mua, por për të gjithë krerët e Botës së Lirë,” shkroi Trump në Truth Social në lidhje me politikën e re kineze.

“Unë do takohesha me presidentin Xi brenda dy javësh, por tani duket se nuk ka asnjë arsye për ta bërë këtë.”

Ministria e Jashtme e Kinës dhe media shtetërore, e përdorur ndonjëherë si zëdhënës zyrtar, nuk kishin komentuar mbi veprimet e Trump deri në orët e vona të pasdites në Pekin të shtunën.

Cory Combs, drejtor i asociuar i konsulencës Trivium China, tha se Pekini mund të mos e kishte pritur që përgjigja e Trump të ishte “kaq e drejtpërdrejtë dhe e ashpër”, duke përfshirë kërcënimin e presidentit amerikan për t’u larguar nga një takim me Xi.

“Nëse do e kishin pritur, nuk mund ta përfytyroj që do kishin ndjekur këtë strategji,” tha Combs të shtunën.

Ai shtoi se ndërsa Kina mund të përdorte më shumë masa “hakmarrëse” – siç ka bërë gjatë gjithë këtij viti, duke shënjestruar dobësitë e zinxhirit të furnizimit të SHBA-së – Pekini tani mund të kërkonte të rregullonte këtë qasje.

“Loja ka ndryshuar,” tha Combs.

Por ëang ëen, dekan i Institutit Kërkimor të Financave Chongyang në Universitetin Renmin të Kinës në Pekin, tha: “Trump nuk e ka mundësinë të bllokojë plotësisht importet kineze”.

Ai tha se mallrat kineze do hyjnë në SHBA përmes rieksporteve pavarësisht asaj që bën Trump, sepse “një numër i madh i mallrave ‘Made in China’ janë të pazëvendësueshëm”.

ëang shtoi se masat e Pekinit për mineralet e rralla ishin një përgjigje ndaj akuzave të SHBA-së ndaj anijeve kineze.

“Nëse Shtetet e Bashkuara zgjedhin të përfshihen në përplasje, Kina do qëndrojë e palëkundur dhe do vijojë luftën.”

Trump tha se SHBA ishte kontaktuar edhe nga “vende të tjera që janë jashtëzakonisht të zemëruara nga kjo armiqësi e madhe Tregtare, e cila doli nga hiçi”.

Më vonë të premten, Trump sugjeroi se takimi me Xi mund të ndodhë megjithatë.

“Unë do jem aty sidoqoftë, kështu që supozoj se mund ta bëjmë takimin,” u tha ai gazetarëve në Zyrën Ovale.

“Do duhet të shohim se çfarë ndodh, prandaj e vendosa 1 nëntorin. Do shohim se çfarë ndodh.”

Ai shtoi se SHBA mund të vendoste kontrolle eksporti për mallra si “pjesët e avionëve”.

“Ne ishim të surprizuar nga Kina. Unë kam një marrëdhënie shumë të mirë me Presidentin Xi por ata bënë këtë hap,” tha Trump.

S&P 500 u mbyll 2.7 për qind më ulët, rënia e tij më e madhe në një ditë që nga fillimi i prillit pas kërcënimit të Trump. Nasdaq Composite ra 3.6 për qind. Rendimenti i thesarit dyvjeçar të SHBA-së ra në nivelin e tij më të ulët në tre javë, ndërsa dollari ra 0.7 për qind kundrejt një shporte valutash.

Njoftimi i Pekinit për kontrollet e eksportit këtë javë përbën një version kinez të “rregullit të produktit të drejtpërdrejtë të huaj” jashtëterritorial që Uashingtoni ka përdorur për të kërkuar që kompanitë nga vendet e treta të marrin licenca për të eksportuar çipa me përmbajtje amerikane në Kinë.

Ky veprim u konsiderua gjerësisht si një përpjekje për të krijuar ndikim përpara se të dy krerët të mbanin takimin e tyre të parë që kur Trump u kthye në detyrë.

“Askush nuk ka parë kurrë diçka të tillë, por, në thelb, do bllokonte tregjet, dhe do e bënte jetën të vështirë për praktikisht çdo vend në botë, veçanërisht për Kinën,” tha Trump në postimin e tij.

Tarifat e reja të Trump ndaj Kinës rrisin perspektivën që dy vendet të kthehen në luftën tregtare të plotë që shpërtheu këtë vit kur ai goditi Pekinin me tarifa 145 për qind dhe Xi u kundërpërgjigj duke vendosur tarifa 125 për qind për mallrat që vinin nga SHBA.

Tarifa mesatare e SHBA-së për importet nga Kina është afër 58 për qind, sipas analizës nga Instituti Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare. Tarifa mesatare e Kinës për mallrat e SHBA-së është rreth 37 për qind.

Tensionet ekonomike kanë pasur një ndikim dramatik në rrjedhjet tregtare, të cilat Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, paralajmëroi se arrinin në një embargo tregtare de facto.

Negociatorët amerikanë dhe kinezë arritën një armëpushim në luftën tregtare në një takim në Gjenevë. Por armëpushimi u kërcënua pasi Kina filloi të ngadalësonte eksportin e mineraleve të rralla, të cilat janë kritike për industritë që variojnë nga sektori i automobilave te mbrojtja.

Të dy palët zgjidhën çështjen fillestare të mineraleve të rralla në Londër në qershor dhe që atëherë kanë mbajtur bisedime tregtare në Stokholm dhe Madrid që i hapën rrugën Trump për të takuar Xi. Armëpushimi 90-ditor që mban tarifat në nivelet e tanishme pritet të skadojë në mes të nëntorit.

Disa ekspertë kanë paralajmëruar se Kina ka ndikim mbi SHBA-në për shkak të mbizotërimit të saj në mineralet e rralla. Megjithatë, të tjerë kanë sugjeruar se SHBA ka më shumë masa që mund të përdorë, të tilla si kërkesa ndaj prodhuesve të çipave për të marrë një licencë për të shitur çdo gjysmëpërçues në Kinë.

Trump tha se masat e reja kineze ishin befasuese sepse marrëdhënia SHBA-Kinë kishte qenë “shumë e mirë” gjatë gjashtë muajve të fundit, por ai pohoi se Pekini kishte qenë “duke pritur në fshehtësi” për të sulmuar.

“Nuk ka asnjë mënyrë që Kinës t’i lejohet ta mbajë botën ‘peng’, por ky duket se ka qenë plani i tyre prej shumë kohësh, duke filluar me ‘magnetët’ dhe elementët e tjerë që ata kanë grumbulluar qetësisht  pozicion monopoli, një lëvizje mjaft ogurzezë dhe armiqësore, më e pakta,” tha ai.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani