
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se pjesëmarrja në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë ka qenë 39.07%, sipas të dhënave preliminare të publikuara mbrëmjen e së dielës.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha në konferencën për media se procesi i votimit ka qenë i qetë dhe i rregullt, megjithatë pjesëmarrja ka qenë më e ulët krahasuar me zgjedhjet lokale të kaluara, ku kishin votuar rreth 43% e qytetarëve me të drejtë vote.
Procesi i numërimit të votave për kryetarët e komunave ka nisur në shumë vendvotime, dhe pas përfundimit të tij do të vazhdohet me numërimin e votave për asambletë komunale.