Vendosni fjalën kyçe....

Ndalohen përkohësisht monopatinat elektrike në të gjithë Shqipërinë



Duke filluar nga dita e nesërme (13 tetor), në të gjithë Shqipërinë ndalohet përkohësisht qarkullimi i monopatinave elektrike. Vendimi është marrë nga ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, në bashkëpunim me drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si reagim ndaj rritjes alarmante të aksidenteve që lidhen me këto mjete.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda, vetëm gjatë vitit 2024 janë regjistruar 991 raste aksidentesh të shkaktuara nga monopatinat elektrike, përfshirë fatalitete dhe dëmtime të rënda fizike.

“Përdorimi i monopatinave po paraqet rrezik të madh për sigurinë publike. Prandaj, që nga dita e hënë Policia e Shtetit do të nisë një operacion kombëtar për ndalimin e qarkullimit të tyre,” deklaroi Proda.

Ministrja Koçiu theksoi se ndalimi është i përkohshëm, ndërsa paralajmëroi se së shpejti do të hartohen rregulla të reja për përdorimin e monopatinave, përfshirë:

  • Kufizime në rrugët dhe hapësirat ku mund të përdoren;

  • Moshë minimale për drejtuesit;

  • Pajisje mbrojtëse të detyrueshme, si kaska dhe ndriçues;

  • Shpejtësi maksimale të lejuar.

“Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve dhe i bëjmë thirrje atyre që mendojnë të investojnë në dhënie me qira të monopatinave, të mos e bëjnë, pasi lejimi i tyre në të ardhmen do të jetë vetëm për përdorim personal”, u shpreh ministrja Koçiu.

Shqipëria nuk është i vetmi vend që përballet me problematika të tilla. Franca, Italia, Gjermania dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë masa të ngjashme për të kufizuar përdorimin e monopatinave elektrike, duke vendosur rregulla më të rrepta ose duke ndaluar përkohësisht qarkullimin e tyre.