
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përshëndetur procesin zgjedhor dhe sjelljen e qytetarëve gjatë ditës së sotme në zgjedhjet lokale. Në një deklaratë për mediat, Kurti tha se qytetarët e Kosovës dëshmuan edhe një herë kulturë demokratike dhe përkushtim ndaj proceseve të lira dhe të ndershme.
“Qytetarët tanë sot votuan me përgjegjësi dhe qetësi. Kjo tregon nivelin e lartë të vetëdijes demokratike në vendin tonë”, deklaroi Kurti.
Me nisjen e numërimit të votave për kandidatët për kryetarë komunash, Kurti u bëri thirrje komisionerëve që, përveç numërimit të saktë të votave, të kujdesen edhe për ruajtjen e tyre. “Ruani çdo votë me përgjegjësi, siç e meriton vullneti i qytetarëve”, u shpreh ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur publikimin e rezultateve të para jozyrtare për zgjedhjet lokale në Kosovë. Sipas të dhënave paraprake, në kryeqytet (Prishtinë) po prin kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndërsa pas tij radhitet kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Pjesëmarrja në votime deri në orën 19:00 është raportuar në 39.48%, sipas KQZ-së.
Ndërkohë, gjatë ditës janë raportuar disa incidente të izoluara, përfshirë edhe të shtëna me armë pranë një qendre votimi në Komoran. Prokuroria ka deklaruar se ngjarja nuk ka lidhje me procesin zgjedhor.
Ambasadori britanik dhe ai i Bashkimit Evropian në Kosovë kanë vizituar disa qendra votimi në veri të vendit, duke deklaruar se janë duke e vëzhguar nga afër procesin.
Media të ndryshme kanë raportuar për përpjekje të autoriteteve serbe për të futur materiale zgjedhore në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, me qëllim ndikimin në rezultat. Autoritetet kosovare janë në dijeni të situatës dhe janë duke hetuar pretendimet.
Prokuroria e Kosovës ka deklaruar se deri në këto momente nuk ka ndaluar asnjë person për vepra penale që lidhen me zgjedhjet.