Vendosni fjalën kyçe....

A paralajmërojnë trazirat e fundit në Francë fundin e Makronizmit


Emmanuel Macron dukej serioz dhe i trishtuar në Panthéon-in e gjerë dhe solemn gjatë ceremonisë së varrimit këtë javë të një ish-ministri francez të drejtësisë.

Kjo ishte një kujtesë e zëshme e izolimit në rritje të presidentit, pasi ish-aleatët po i kthejnë shpinën dhe popullariteti i tij po bie në mes të një turbullire politike për të cilën ai po fajësohet kryesisht.

Ministri i ndjerë Robert Badinter ishte “kritikuar, sulmuar, tallur, shpifur, fyer, abuzuar, madje edhe urryer” për punën e tij për të hequr dënimin me vdekje dhe për të legalizuar homoseksualitetin, tha Macron në fjalimin e tij të enjten, ndoshta duke parë disa paralele me gjendjen e tij.

Vdekja e Makronizmit është parashikuar edhe më parë. Megjithatë, pas një jave kaosi – ku Sébastien Lecornu u riemërua si kryeministër të premten në mbrëmje, më pak se një javë pas dorëheqjes së tij – është bërë gjithnjë e më e qartë se eksperimenti i Francës prej afro një dekade me formën e Makronit të politikës centriste kryengritëse po i vjen fundi.

“Ky është fundi i Macronit. Ai ka humbur çdo besueshmëri,” tha një këshilltar i partisë së krahut të djathtë Les Républicains, e cila të hënën shkaktoi dorëheqjen e Lecornu, pasi u tërhoq nga qeveria e tij.

“Së pari do shohim fundin e sistemit të tij politik, dhe pastaj të tij si personazh.”

Ndjenja anti-presidenciale është një tipar rutinë i jetës politike franceze. Paraardhësi i Macronit, François Hollande, një politikan socialist që qëndroi vetëm një mandat në detyrë, ishte edhe më i urryer se presidenti i tanishëm.

Por, përveç rënies së popullariteti, edhe trashëgimia e Macronit është në rrezik, pasi blloku i tij parlamentar është thyer dhe aleatët kanë hapur derën për ndalimin e disa prej politikave të tij kryesore ekonomike, siç është rritja e moshës së pensionit në 64 vjeç.

“Çfarë është Makronizmi? Është një politikë ekonomike liberale, një qëndrim shumë pro-Europian, është një vullnet për të reformuar vendin tonë, është mjaft i vendosur për sigurinë,” tha Charles Rodëell, një deputet nga partia Renaissance e Macronit.

“Nëse vendosim të tërhiqemi dhe të braktisim reformën e pensioneve, është si të heqësh dorë nga një pjesë e identitetit tonë.”

Përpjekja e Macronit për të ripërcaktuar politikën franceze mund të rezultojë po aq e shkurtër sa ishte meteorike ngritja e tij.

Ardhja e Macronit në postin më të lartë në vitin 2017 “theu alternancën klasike politike midis të djathtës dhe të majtës në Francë,” tha një person i afërt me presidentin.

“A ishte kjo një kllapë dhjetëvjeçare, apo do kemi një jetë politike të ndarë në tre afatgjatë? Nëse lëvizja e tij dhe rekordi i saj i politikave do qëndrojnë “do t’i takojë historisë ta gjykojë”, tha personi.

Në vitin 2017, ish-bankieri i Rothschild fitoi presidencën pavarësisht se më parë nuk kishte mbajtur asnjë post të zgjedhur dhe kishte shërbyer vetëm një mandat si ministër i Ekonomisë në qeverinë e Hollande. Qasja e tij “shkëputëse” tërhoqi talente si nga qendra-majtë ashtu edhe nga qendra-djathtë, dhe nga sektori privat. Të rinjtë u regjistruan në masë për të bërë fushatë për të, duke sjellë një brez fytyrash të reja në qeveri.

Tani aleanca centriste e Macronit prej tre partish po shpërbëhet ndërsa partitë në qendrën e majtë dhe qendrën e djathtë janë thellësisht të ndara nëse duhet t’i ofrojnë mbështetjen që i nevojitet për të qeverisur. Ndërkohë, Rassemblement National e Marine Le Pen po e prezanton veten si një forcë e qëndrueshme, e gatshme për të qeverisur.

Kampi i Macronit “nuk tregon shenja shëndeti të mirë”, pranoi François Patriat, një senator i partisë Renaissance.

“Është një spektakël i vajtueshëm. Partitë po grishen me njëra-tjetrën. Problemi nuk është tek Élysée-ja, por tek parlamenti. Ata nuk mund të bëjnë kompromis, kështu që po kërkojnë dorëheqjen e presidentit.”

Le Pen dhe partitë opozitare të majta, të cilat prej kohësh kanë kërkuar dorëheqjen e Macronit, kësaj jave iu bashkua edhe ish-kryeministri i tij dhe aspiranti presidencial Edouard Philippe, i cili i tha Le Figaro se kriza po kërcënonte “autoritetin dhe stabilitetin e shtetit.”

Macron, mandati i të cilit zgjat deri në vitin 2027, ka thënë gjithmonë se do e çojë mandatin e tij deri në fund.

Gabriel Attal, një tjetër ish-benjamin i Macronit, mandati i kryeministrit të të cilit u shkurtua nga vendimi i presidentit për të thirrur zgjedhje të parakohshme parlamentare vitin e kaluar, tha se ai “nuk i kuptonte më vendimet e presidentit.”

Të dy mandatet e Macronit në detyrë janë shënuar nga kriza të shumta, nga protestat anti-qeveritare të Jelekëve të Verdhë (Gilets Jaunes) në vitin 2018 deri te problemet ekonomike dhe sociale të pandemisë së COVID-19 dhe rishikimi i tij thellësisht jopopullor i pensioneve.

Por trazirat e tanishme mund të gjurmohen tek humbja bastit të tij vitin e kaluar për të shpërndarë Asamblenë Kombëtare, në një përpjekje për të frenuar rritjen e partisë së Le Pen, e cila sapo kishte fituar në zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Votimi i parakohshëm i kushtoi bllokut të Macronit aftësinë për të qeverisur dhe për të kaluar buxhete, si dhe forcoi të djathtën.

Ndërsa ndikimi i tij në politikën e brendshme është zbehur, Macron i është përkushtuar diplomacisë për çështje ndërkombëtare duke përfshirë mbrojtjen evropiane, Ukrainën dhe konfliktin në Gaza. Ai priti ministrat e Jashtëm arabë dhe evropianë në Paris këtë javë për të diskutuar rindërtimin e Gazës pas luftës. Ai ndërmjetësoi takimin e parë midis Presidentit të sapozgjedhur Donald Trump dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në rihapjen e Katedrales Notre-Dame në dhjetor.

Por gjendja aktuale brenda kampit të vetë Macronit u përshkrua si “e zymtë” këtë javë pas dorëheqjes së Lecornu-s. Këshilltarët dhe ndihmësit e kabinetit po dërgojnë CV-të ndërsa kërkojnë punë në sektorin privat, sipas tre personave me njohuri për situatën.

“Shpërndarja e vitit 2024 ishte idiote dhe bezdisëse por njerëzit menduan se ishte e rëndësishme dhe detyrë të bëhej fushatë, veçanërisht kundër të djathtës. Tani ajo energji është shteruar,” tha një këshilltar i kabinetit në largim.

Presidenti u pa këtë javë duke ecur përgjatë brigjeve të Senës, një figurë e vetmuar në të zeza me një telefon të ngjitur në veshin e tij. Njerëz të afërt me të thanë se ai mbetet i vendosur, i përqendruar në nevojën për të miratuar buxhetin e vitit 2026 dhe optimist për gjetjen e një rrugëdaljeje nga ngërçi, megjithëse i trishtuar nga gjendja e Francës.

Mbështetësit e lavdërojnë këtë si forcë të tijën.

“Presidenti është një luftëtar, ai do shkojë deri në fund për të shpëtuar atë që mundet nga reformat, nga ajo që ndërtoi,” tha deputeti i Renaissance Karl Olive.

Kampi i tij është ende me shpresë se, kundër të gjitha gjasave, do arrihet një marrëveshje. Ndoshta kjo është tipari më makronist nga të gjitha: një vetëbesim i pamëshirshëm, edhe nëse ka kundër historinë, pengesat, kundërshtarët dhe gabimet – se një rrugë përpara mund të gjendet.

“Është një pamje e trishtë, por diku ka ende një mundësi që të ketë dritë në fund të tunelit, tha personi i afërt me presidentin.

Por të tjerë shohin një president tepër të sigurt në vetvete dhe gjithnjë e më të shkëputur, i cili imponon zgjidhjet e tij pavarësisht provave në rritje se ato nuk funksionojnë.

“Është një rrëmujë e madhe; ndërkohë oborri rreth presidentit po e mban atë optimist…Është një katastrofë,” tha një ish-këshilltar.

“Mendoj se vetë Macron nuk ka ide se çfarë do të bëjë: po lundron verbërisht,” tha një drejtues francez.

“Le të shpresojmë se nuk është Titaniku.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani