Vendosni fjalën kyçe....

Zelenskyy i bën thirrje Trumpit të ndërmjetësojë paqen në Ukrainë pas armëpushimit në Gaza



Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i bëri thirrje Donald Trumpit të shfrytëzojë momentin e armëpushimit në Gaza për të ndihmuar në ndërmjetësimin e paqes edhe në Ukrainë. Kjo kërkesë u bë gjatë një telefonate mes dy liderëve të shtunën, raportoi Guardian.

Gjatë bisedës, Zelenskyy kërkoi nga Trump të mbështesë kërkesën e Ukrainës për furnizimin me raketa Tomahawk, me qëllim që të forcohet kapaciteti i Kievit për goditje në distanca të gjata ndaj objektivave brenda territorit rus. Trump ka sugjeruar më parë se ka “pothuajse marrë një vendim” për të lejuar shitjen e këtyre raketave për vendet e NATO-s, të cilat më pas mund t’i transferojnë në Ukrainë.

“Nëse një luftë mund të ndalet në një rajon, atëherë edhe luftëra të tjera mund të ndalen – përfshirë edhe luftën ruse”, shkroi Zelenskyy në Facebook, një ditë pasi Rusia kreu një sulm masiv me dronë dhe raketa mbi infrastrukturën energjetike të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë në Kiev dhe qytete të tjera.

Zelenskyy deklaroi se pati një bisedë “shumë pozitive dhe produktive” me Trump-in për “marrëveshje konkrete” për forcimin e mbrojtjes ajrore të vendit.

Ndërkohë, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, paralajmëroi se Rusia po intensifikon sulmet ajrore, ndërsa mbrojtja ajrore e Ukrainës po përballet me sfida të reja për shkak të numrit të madh të dronëve dhe raketave të avancuara që përdor Moska.

Vetëm këtë javë, Rusia ka lëshuar 465 dronë të tipit Shahed dhe dhjetëra raketa balistike dhe lundruese ndaj Ukrainës.

Biseda mes Trump-it dhe Zelenskyy-t vjen në një moment kur në Washington po diskutohen mundësitë për të furnizuar Ukrainën me raketat Tomahawk – një veprim që presidenti rus Vladimir Putin e ka cilësuar si “një fazë krejtësisht të re të përshkallëzimit”.

Ndërkohë, liderët evropianë – kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz – deklaruan se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me SHBA-në për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të mbështetur forcat e armatosura të Ukrainës dhe për të shtyrë Rusinë drejt tryezës së bisedimeve.