Vendosni fjalën kyçe....

PD denoncon biznesmenin: 2.2 milionë euro dëm me receta false dhe ndërton hotel luksoz te Shkëmbi i Kavajës


Partia Demokratike ka ngritur akuza të forta ndaj biznesmenit Nadir Çausholli, të cilin e akuzon për abuzime të rënda me fondet publike përmes kompanisë së tij “CFO Pharma”.

Zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, deklaroi se Prokuroria e Tiranës ka ushtruar ditët e fundit një kontroll të gjerë në ambientet e kompanisë “CFO Pharma”, duke sekuestruar inventarë dhe dokumentacion të rimbursimeve të barnave.

“Sipas raportimeve, ai ka shitur medikamente deri në 180 herë më shtrenjtë se çmimi real, duke dëmtuar rëndë qytetarët dhe buxhetin e shtetit,” u shpreh Vangjeli.

Ajo kujtoi se skemat abuzive të Çaushollit nuk janë të reja.

“Që në vitin 2016, Prokuroria e Tiranës konstatoi një dëm ekonomik prej 2.2 milionë eurosh ndaj shtetit nga receta false dhe abuzime me barnat e rimbursueshme, për çka Çausholli u arrestua,” tha zëdhënësja demokrate.

Megjithatë, sipas PD-së, pas vitit 2017 bizneset e Çaushollit vijuan të lulëzojnë. Përveç linjës së autobusëve të “Unazës” në Tiranë, ai ka hapur edhe pesë biznese të tjera, disa prej të cilave në bashkëpronësi me persona publikë.

“Pasi përfitoi miliona euro nga tenderat publikë, dhe ndonëse Agjencia e Prokurimit Publik (APP) në korrik 2024 e përjashtoi kompaninë ‘CFO Pharma’ nga pjesëmarrja në tendera për 6 muaj, Çausholli vendosi ta ‘festojë’ këtë masë duke hapur një biznes të ri në fushën e turizmit,” shtoi Vangjeli.

Sipas Partisë Demokratike, biznesmeni është duke ndërtuar një hotel luksoz në zonën e Shkëmbit të Kavajës, në bashkëpunim me këngëtarin Vis Pojën, duke e konsideruar këtë si “një tjetër shembull të pasurimit përmes abuzimeve me fondet publike”.

Denoncimi-per-Nadir-Caushollin