
Katër persona kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë janë plagosur, katër prej tyre në gjendje kritike, pas një sulmi masiv me armë zjarri në shtetin amerikan të Mississippi-t.
Sipas kryebashkiakut të qytetit të vogël Leland, John Lee, ngjarja ndodhi rreth mesnatës në rrugën kryesore të qytetit, rreth 190 km në veri-lindje të kryeqytetit të shtetit, Jackson. Katër nga të plagosurit u transportuan me helikopter drejt spitaleve për trajtim urgjent.
Aktualisht nuk ka asnjë të arrestuar për ngjarjen, ndërsa policia po zhvillon një operacion intensiv kërkimi për autorin apo autorët.
Leland ishte më i gjallë se zakonisht të premten, pasi shkolla e mesme e qytetit kishte planifikuar një ndeshje futbolli për të shënuar festën tradicionale amerikane “Homecoming”, e cila mbahet zakonisht në vjeshtë dhe shënon rikthimin e ish-nxënësve për të festuar shpirtin shkollor dhe komunitetin.
Kryebashkiaku theksoi se ngjarja nuk ndodhi në ambientet e shkollës së mesme.
“Kjo është një ngjarje që e organizojmë çdo vit dhe nuk kemi pasur kurrë incidente të tilla,” tha Lee për BBC.
“Jemi një qytet me rreth 3,700 banorë, me nivel të ulët kriminaliteti. Të gjithë njihen me njëri-tjetrin. Kjo është një tragjedi e rëndë për ne.”
Ndërkohë, një tjetër sulm me armë ndodhi po të premten në mbrëmje në një qytet tjetër të vogël të Mississippi-t, Heidelberg, rreth 320 km në jug-lindje të Leland. Ngjarja ndodhi gjithashtu gjatë fundjavës së “Homecoming”-ut të qytetit, dhe për pasojë humbën jetën dy persona, njoftoi Shefi i Policisë së Heidelbergut, Cornell White.
Autoritetet nuk kanë dhënë asnjë informacion që sugjeron ndonjë lidhje mes dy sulmeve.