
Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit të Turizmit, Kulturës dhe Diasporës, Ina Zhupa, zhvilloi takime me bizneset dhe qytetarët e Sarandës për të dëgjuar vlerësimet mbi sezonin turistik të këtij viti.
Sipas saj, shumica e sipërmarrësve janë të zhgënjyer, pasi sezoni nuk arriti pritshmëritë dhe rezultoi më i dobët se një vit më parë, i cili vetë kishte qenë më i dobët se viti 2023.
“Tendenca është negative dhe shqetësuese,” deklaroi Zhupa, duke theksuar se edhe profili i turistëve ka ndryshuar ndjeshëm.
“Kryesisht janë turistë me një çantë në krah, që nuk kanë kontribuar në ekonominë lokale. Ata kanë përdorur vetëm shërbimet bazike si marketet dhe fast food-et, por nuk kanë konsumuar në restorante apo shërbime të tjera që gjenerojnë ekonomi në komunitet,” shtoi ajo.
Deputetja ngriti shqetësime për problemet strukturore të qytetit, që sipas saj po largojnë turistët dhe po dëmtojnë imazhin e Sarandës si destinacion bregdetar.
“Një qytet pa parkime publike funksionale, me mungesë uji të pijshëm dhe me mbetje të shpërndara nëpër rrugë e plazhe, nuk mund të ketë turizëm cilësor,” tha Zhupa, duke përmendur gjithashtu trafikun e rënduar dhe mungesën e aktiviteteve që do t’i nxisnin vizitorët të qëndronin më gjatë.
Ajo apeloi për një strategji të re të turizmit që të fokusohet në zhvillimin e qëndrueshëm dhe në rritjen e mirëqenies lokale.
“Duhen investime reale që përmirësojnë jetën e banorëve dhe kushtet për turistët. Duhet promovuar një turizëm me vlerë të shtuar kulturor, gastronomik, të aventurës dhe natyrës, që sjell vizitorë me kapacitet më të lartë shpenzimi. Synimi duhet të jetë turizmi gjithëvjetor,” përfundoi Zhupa.