
Një shpërthim masiv në fabrikën e prodhimit të lëndëve shpërthyese “Accurate Energetic Systems” në Bucksnort, Tennessee, ka shkaktuar vdekjen e disa personave dhe 18 të tjerë janë ende të zhdukur, njoftuan autoritetet të shtunën për Fox News.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 8 të mëngjesit të së premtes, duke detyruar më shumë se 300 hetues dhe ekipet e emergjencës të kontrollojnë me kujdes zonën. Sheriffi i Qarkut Humphreys, Chris Davis, deklaroi se deri tani nuk janë gjetur të mbijetuar.
“Ekipet kanë kërkuar në çdo cep të fabrikës, por fatkeqësisht nuk ka të mbijetuar,” tha Davis me emocion. Ai shtoi se kanë biseduar me familjet e viktimave dhe kjo është një humbje shumë e madhe për komunitetin.
Bureau of Alcohol, Tobacco, Firearms and Explosives (ATF) ka dërguar një skuadër elite hetimore për të ndihmuar në zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit. Hetimet pritet të zgjasin disa ditë, ndërsa zyrtarët nuk përjashtojnë asnjë pistë, përfshirë edhe veprim kriminal.
Fabrika, e vendosur në një kompleks prej 1,300 akresh, prodhon dhe teston lëndë shpërthyese për qëllime ushtarake dhe industriale. Zyrtarët theksuan se kërkimi është i ndërlikuar për shkak të rrezikut nga shpërthimet e mëtejshme dhe rrënojave.
Familjarët dhe komuniteti janë në gjendje tronditjeje, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet dhe kërkimet në vendngjarje.