Vendosni fjalën kyçe....

Brenda jetës luksoze së Bashar al-Assad-it në Moskë


Gati një vit pas arratisjes nga grushti i shtetit që i dha fund sundimit të tij shumëvjeçar në Siri, ish-presidenti Bashar al-Assad po jeton në mërgim luksoz në Moskë, nën mbrojtjen e Kremlinit, sipas një hetimi të publikuar nga gazeta gjermane Die Zeit.

Raporti zbulon se Assad, 59 vjeç, dhe familja e tij zotërojnë rreth 20 apartamente në një gratacielë luksoze në kryeqytetin rus, ku ai lëviz lirisht në qytet dhe viziton herë pas here qendrën tregtare poshtë ndërtesës.

Megjithatë, ish-diktatori sirian mbetet plotësisht i varur nga presidenti Vladimir Putin, i cili mban “monopolin e informacionit” dhe kontrollin e plotë mbi mënyrën se si paraqitet historia e regjimit të Assadit dhe roli i Rusisë në Siri.

Një burim i identifikuar vetëm si “K.” – ish-anëtar i rrethit të brendshëm të Assadit, tani në mërgim në Evropë, tregoi se Assad dhe familja e tij mbrohen nga trupa sigurie të paguara nga qeveria ruse.

“Ai jeton në tri apartamente në një kullë që ka një qendër tregtare poshtë, dhe shpesh kalon orë të tëra duke luajtur lojëra online,” tha burimi për Die Zeit.

 

E shoqja e Assadit, Asma, raportohet se është në gjendje kritike pas rikthimit të kancerit të gjirit në pranverën e vitit 2024, ndërsa vëllai i tij, Maher al-Assad, po qëndron në hotelin Four Seasons në Moskë, ku “e kalon kohën duke pirë e tymosur nargjile.”

Gazetarët e Die Zeit arritën të hyjnë në ndërtesën ku besohet se banon familja Assad, duke e përshkruar atë si një gratacielë të ndritshme dhe të siguruar fort, të mbushur me politikanë dhe banorë të huaj, përcjell Ynet.

 Apartamentet, sipas tyre, janë të dekoruara me luks ekstrem m,e mobilie ngjyrë kremi e zbukurime floriri, llamba kristali, kuzhina me pajisje gjermane dhe pamje panoramike nga lumi Moskva.

“Kryevepra,” shkruan Die Zeit, “është banja e mbuluar me mermer Carrara, me vaskë të ngrohtë që shikon përmes një dritareje katër metra të lartë drejt qiellit të Moskës.”

Në shkurt, djali i Assadit, Hafez, publikoi një video nga Moska, paraqitja e tij e parë publike që nga arratisja e familjes.

Ai tregoi se kishte qenë në Moskë për studimet e doktoraturës kur shpërtheu trazira në Siri, ndërsa nëna e tij ndodhej atje për trajtim mjekësor.

Kur rebelët morën Damaskun, familja u largua natën vonë me një avion ushtarak rus drejt bazës së Hmeimim në Latakia.

Nëse raporti i Die Zeit është i saktë, Bashar al-Assad dhe familja e tij kanë gjetur tashmë strehën e tyre të artë në Moskë, nën hijen e Putinit, larg Sirisë që dikur e sundonin me dorë të hekurt.