
Seanca e sotme në Kuvendin e Shqipërisë nisi me një minutë heshtje në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u qëllua brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit ditën e hënë. Kryeparlamentari Niko Peleshi theksoi se Kalaja i shërbeu sistemit të drejtësisë me integritet.

Peleshi kërkoi gjithashtu ndjesë për keqkuptimin e krijuar pas përfshirjes së figurës së diktatorit Enver Hoxha në listën e figurave të Tetorit. Ai sqaroi se Hoxha u përmend vetëm për shkak të datës së lindjes dhe pa qëllim vlerësimi ose mbrojtja e tij. Kryetari i Kuvendit njoftoi se ka kërkuar një rishikim të plotë të procedurave të bibliotekës parlamentare për të garantuar që materialet e ardhshme të shoqërohen me kontekst të qartë historik.
Në vijim kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kritkoi opozitën për kërkesën që Kuvendi të përshëndesë dakordësinë mes Hamasit dhe Izraelit për fazën e parë të planit të paqes në Gaza, të njoftuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Balla ironizoi veçanërisht ish-kryeministrin Sali Berisha, duke thënë se ai “do na shpallë luftë edhe me Marsin”, dhe theksoi se meritën kryesore për përparimin e marrëveshjes e ka Trump. Ai i bëri thirrje opozitës të kursejë shfaqjet diplomatike dhe të mos bëjë garë për rolin e më “pro-amerikanit”.

“Na i kurseni këto shfaqje butaforike të garës mes jush se kush është më pro amerikani dhe kandidati për ministër të jashtëm në hije brenda jush. Kursejani vetes edhe gafat të një natyre diplomatike ndërkohë që njeriu që ka meritën kryesore në këtë çështje, presidenti Trump ende nuk ka udhëtuar për në Lindjen e Mesme. Na je bërë këtu…mos ia marrim meritën se tani siç thatë, dhe i drejtohem kryetarit parlamentar të PD-së se s’po merrem me ty, se duhet të jemi parlamenti i parë në botë që të përshendesim një marrëveshje paqejeje që presidenti amerikan pritet ta firmosë javën e ardhshme.”, tha Balla.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, gjatë fjalës së tij në Kuvend, reagoi ashpër ndaj gjuhës së sulmeve ndaj sistemit të drejtësisë.

Lamallari tha në Kuvend se në këto vite kanë mbjellë vetëm gjuhë urrejtjeje dhe se shqiptarët i njohin shumë mirë prandaj kanë mbetur në opozitë.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, iu përgjigj kryeparlamentarit Niko Peleshi, i cili kërkoi ndjesë për përfshirjen e diktatorit Enver Hoxha mes figurave kombëtare që mund të nderoheshin gjatë muajit tetor.

Berisha akuzoi Peleshin se Hoxha u fut në axhendë me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe theksoi se nuk është çështje librarie, por ligji ndalon propagandën komuniste dhe ka rezolutë parlamenti që duhet respektuar.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi dorëheqjen e ministres së Brendshme, Albana Koçiu, pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.
Ai theksoi se është e papranueshme që një gjyqtar të vritet në sallën e gjyqit gjatë leximit të vendimit të tij.

Bardhi shtoi se ngjarja nuk mund të harrohet dhe kërkoi që kryeministri të japë shpjegime për masat e sigurisë.
Deputetja e PD-së, Jozefina Topalli, e cilësoi vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja si një ngjarje tronditëse dhe pa precedent. “As kartelet e Ekuadorit apo mafia italiane nuk kanë vrarë një gjyqtar në zyrën e tij, gjatë shpalljes së vendimit,” deklaroi ajo në Kuvend.
Topalli kërkoi që Parlamenti të nxisë një reflektim kombëtar, duke e konsideruar vrasjen si një sinjal alarmi për shtetin dhe sistemin e drejtësisë.
Me tej, Zhupa i kërkoi dorëheqjen ministres së Brendshme Albana Koçi dhe ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, duke i akuzuar për mosgarantimin e sigurisë së qytetarëve dhe të aktorëve të drejtësisë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja. 
Ajo theksoi se policia nuk ka kapacitet për të mbrojtur gjyqtarët dhe se qeveria duhet të marrë përgjegjësi për këtë ngjarje tragjike.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kritikoi opozitën për shkelje të rregullores gjatë seancës së sotme dhe i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, të sigurojë respektimin e rregullave parlamentare.
“Zoti kryetar i Kuvendit, u bë seanca e disatë radhazi, dhe sot po arrin kulmin, pasi kërkohet seanca për procedurë dhe për fatin tonë të mirë, të paturit një opozitë pa kokë dhe pa bisht, në procedurë kërkohet dorëheqja e një ministri. Edhe këtë nuk e kishim parë, por e gëzuam sot me ju që ju paçim sa malet. Sepse në seriozitetin e një Parlamenti, një grup parlamentar prej 7 vitesh, jo për të bërë korbin, mund të kishin ardhur këtu me një kërkesë.
Sa kemi miratuar me konsensus, debatin me 10 orë për 4 çështjet që kemi në seancën e ditës. Javët e ardhshmi do të kemi drejtuesit e institucioneve të drejtësisë. Nuk mund të flasim sot për vrasjen e gjyqtarit, në respekt të familjes së tij. Sot gjyqtarët dhe magjistratët presin një mesazh solidariteti nga Kuvendi i Shqipërisë. Presin një distancim nga persona të caktuar kërcënojnë prokurorin dhe gjyqtarin tek dera e gjykatës. Këto presin.
Por ne shyqyr që ju kemi ju. Shqipëria gjynah që ju ka ju, sepse të marrësh fjalën vjedhurazi, duke përfituar nga qytetaria e Peleshit, zoti kryetar zbatoni rregulloren e Kuvendit. Fjala për procedurë merret vetëm për një çështje të rendit të ditës, apo për një propozim për ndryshim të rendit të ditës”, tha Balla në fjalën e tij.
Teksa e paralajmëroi disa herë për gjuhën e përdorur, kryeparlamentari Niko Peleshi i ka hequr të drejtën e fjalës në Kuvend, Flamur Nokës.

Ky i fundit pati një debat të ashpër me ministren Albana Koçiu, ndërsa u përplasën për vrasjen e gjyqtarit Kalaja.
Pamjet që shihni tregojnë momentin e përplasjes mes deputetit të PD-së, Flamur Noka dhe ministres së Brendshme, Albana Koçiu.

Deputeti u ngrit nga vendi i tij ndërsa tentoi që t’i afrohej ministres, por ndërhyri Garda.
Partia Demokratike nuk pranoi të përfshihet në rendin e ditës, duke nxitur debat lidhur me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe duke bërë përgjegjëse qeverinë.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi të hedhë në votim 4 rezolutat pasi opozita refuzon që të kalojë në zhvillimin e rendit të ditës.
Peleshi vendosi të pushonte seancën për 10 minuta me shpresën se situata do të normalizohej.
Pas nisjes së seancës, kreu i PD-së, Sali Berisha, mori fjalën, e cila iu ndërpre për mosrespektim të procedurës. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kaloi për votim 4 raportet e institucioneve, propozim i Taulant Ballës nga PS.
Berisha nga foltorja e Kuvendit lëshoi akuza për çështjen ‘Aruba’ për përfshirjen sipas tij të qeverisë Rama.
“Refuzimi që i bëhet interpelancës për Arubën dëshmon frikën dhe tmerrin e Ramës nga aktet e tij, të cilat janë unike.
Pas Maduros së Venezuelës nuk ekziston një kryeministër tjetër që të ketë shkuar vetë apo të këtë çuar dërgatë ministra. Pse keni frikë nga transparenca? Këto janë dëshmitë që shkrihen në një, qeveria me klanet e drogës dhe faturën e paguajnë shqiptarët. Pse keni frikë nga transparenca? Dilni dhe mos mohoni.
Me Luftar Hysin ka qenë në zyrë. Charteri është nisur nga Tirana për t’u takuar me bosët e drogës, në Aruba.”, tha ai.
Niko Peleshi kaloi për votim 4 raportet e institucioneve.

Votohet me 76 vota pro dhe2 kundër “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Kalon me 76 vota pro dhe 0 kundër “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP) për vitin 2024.
Kalojnë me 76 vota pro raportet e ERRU dhe ERE për vitin 2024
Kalon me 74 vota pro dhe 1 kundër ‘Për vlerësimin e Veprimtarisë së entit rregullator të ujit për vitin 2024.
Gjatë procesit të votimit, anëtarët e opozitës u çuan në këmbë duke protestuar kundër mbylljes së seancës parlamentare./Hashtag.al
Përgatiti për Hashtag.al, Aurora Hoxha