Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, një kundërshtare e kahershme e Presidentit amerikan Donald Trump, u akuzua të enjten për mashtrim bankar, sipas një personi të njohur me çështjen.
Hollësitë e aktakuzës, e cila u kthye nga një juri e madhe në Distriktin Lindor të Virxhinias, nuk janë ende të qarta. Departamenti i Drejtësisë ka qenë duke hetuar akuzat për mashtrim hipotekar ndaj saj. Asnjë nga avokatët e Letitia James apo përfaqësuesit e zyrës së saj nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment. Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë nuk ishte i disponueshëm për koment.
James u akuzua pasi një juri e madhe në Virxhinia më 25 shtator akuzoi ish-drejtorin e FBI-së, James Comey, për deklarata të rreme dhe pengim të një hetimi të Kongresit. Comey u deklarua i pafajshëm të mërkurën. Trump e ka kritikuar vazhdimisht mënyrën se si Comey e trajtoi hetimin e FBI-së në të ashtuquajturën “ndërhyrje ruse” në zgjedhjet presidenciale 2016, shkruan Reuters.
James është një nga disa prokurore të përgjithshme shtetërore demokrate që kanë paditur për të bllokuar veprimet e administratës Trump. Ajo njihet më së shumti për padinë civile kundër Trump-it dhe kompanisë së pasurive të paluajtshme të familjes së tij në vitin 2022. Rasti përfundoi me një gjobë prej 454.2 milionë dollarësh kundër tij.
Një gjykatë apeli e shtetit të Nju Jorkut në gusht hodhi poshtë gjobën.
