Vendosni fjalën kyçe....

Pakistani kryen sulme ajrore në kryeqytetin e Afganistanit, vret kreun e organizatës militante


Noor Wali Mehsud, udhëheqësi i Tehrik-i-Taliban Pakistan (TTP), u vra në një sulm në Kabul të enjten në mbrëmje, konfirmuan disa burime për Amu.

Banorët e Kabulit raportuan shpërthime të forta në disa pjesë të qytetit, të cilat besohet se ishin sulme ajrore. Dy banorë thanë se sulmet ndodhën pranë Sheshit Abdulhaq në qendër të Kabulit. Vendndodhja e saktë e sulmeve mbetet e paqartë.

Zëdhënësi kryesor i talebanëve konfirmoi sulmet, duke thënë se kanë nisur një hetim.

Mehsud, i lindur më 26 qershor 1978 në Gurguray, Waziristani Jugor, Pakistan, ishte një nga figurat më të kërkuara militante në Pakistan. Ai udhëhoqi TTP-në që nga viti 2018, pas vdekjes së paraardhësit të tij Mullah Fazlullah, duke u bërë udhëheqësi i katërt i grupit.

Sipas analistëve të sigurisë, Mehsud fillimisht iu bashkua Talibanëve të Mehsudëve në vitin 2003 — një fraksion xhihadist që u shfaq në rajonet fisnore të Pakistanit gjatë regjimit taleban dhe më vonë u përfshi në TTP në vitin 2007 nën udhëheqjen e Baitullah Mehsud.

Deri në vitin 2013, Mehsud ishte ngjitur në hierarki duke mbikëqyrur operacionet e TTP-së në Karachi, ku drejtonte një rrjet të përfshirë në zhvatje dhe rrëmbime për të financuar aktivitetet militante në gjithë Pakistanin. Duke operuar nga Miram Shah në Waziristanin Verior, ai thuhet se urdhëroi pashtunët në Karachi të zgjidhnin mosmarrëveshjet tregtare përmes gjykatave talebane nën autoritetin e tij. Udhëheqësi i TTP-së besohet se jetonte mes Pakistanit dhe Afganistanit dhe kishte shtetësi pakistaneze.

Burime për Amu thanë se sulmi ajror i së enjtes në mbrëmje kishte në shënjestër një kompleks në Kabul, megjithëse hollwsitë mbi operacionin mbeten të paqarta. Talebanët nuk kanë komentuar mbi incidentin.

Sulmi ndodhi në kohën kur ministri i Jashtëm në detyrë i talebanëve, Amir Khan Muttaqi, po vizitonte Indinë për bisedime të nivelit të lartë mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe sigurinë rajonale, vizita e tij e parë zyrtare që nga marrja e pushtetit nga talebanët në vitin 2021.

India dhe Pakistani kanë shprehur shqetësime mbi aktivitetin militant në Afganistan, me Islamabadin që akuzon vazhdimisht talebanët për lejimin e luftëtarëve të TTP-së të përdorin territorin afgan për sulme ndërkufitare, një akuzë që talebanët e mohojnë.