Udhëheqësi i Hamasit në Gaza: Khalil al-Hayya, kreu i delegacionit të Hamasit në bisedimet për armëpushim në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, deklaroi të enjten në mbrëmje se grupi kishte marrë garanci ndërkombëtare, përfshirë nga SHBA-ja, që konfirmojnë përfundimin e luftës, pas marrëveshjes për armëpushim dhe lirimin e pengjeve.
“Njerëzit e Gazës mahnitën botën me sakrificën, qëndrueshmërinë dhe durimin e tyre,” tha al-Hayya në një deklaratë televizive drejtuar gazanëve, që përkoi me përfundimin e mbledhjes së kabinetit të sigurisë së Izraelit në Jerusalem. Seanca e qeverisë, e planifikuar të fillonte menjëherë pas kësaj, u shty për në orën 22:00.
Al-Hayya, i cili udhëhoqi delegacionin e Hamasit në negociatat ku u nënshkrua marrëveshja, tha se organizata kishte vepruar me përgjegjësi gjatë bisedimeve.
“Në përvjetorin e betejës së 7 tetorit, përshëndesim dëshmorët mes udhëheqësve tanë, aniyeh, al-Arouri, Sinëar dhe Deif,” tha ai, duke iu referuar drejtuesve të Hamasit të vrarë nga sulmet izraelite, shkruan Ynet.
“U themi heronjve të rezistencës: siç ishit burra në betejë, ashtu ishit edhe në tryezën e negociatave. Armiku kreu masakra të njëpasnjëshme dhe pengoi vazhdimisht përpjekjet për ndërmjetësim. Pavarësisht këtyre shkeljeve, ne vazhduam negociatat dhe bëmë çdo përpjekje për ta ndalur luftën.”
Al-Hayya tha se Hamas kishte “trajtuar me përgjegjësi planin e presidentit amerikan” dhe kishte dorëzuar një përgjigje “që i shërben popullit tonë dhe parandalon gjakderdhje të mëtejshme.” Ai shtoi se marrëveshja shënon “fundin e luftës dhe agresionit ndaj popullit palestinez, dhe fillimin e zbatimit të një armëpushimi të përhershëm.”
“Marrëveshja përfshin hyrjen e ndihmave humanitare, hapjen e pikës kufitare Rafah dhe shkëmbimin e të burgosurve,” tha al-Hayya.
“Kemi marrë garanci nga ndërmjetësit dhe nga administrata amerikane, dhe të gjithë kanë konfirmuar se lufta ka përfunduar plotësisht. Do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha forcat kombëtare dhe islamike për të përmbushur hapat e ardhshëm.”
